Sekuestrohen 138 mln euro llogari të “Albanian Land Development”, kompania administrohet nga Redi Struga

Në kuadër të megaoperacionit të SPAK ku janë lëshuar 20 masa arresti kundër pastrimit të parave dhe trafikut të drogës, janë sekuestruar edhe 138 milionë euro nga llogaritë e kompanisë “Albanian Land Development”, në pronësi të biznesmenit Redi Struga.
Lajmi është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala.Sipas burimeve, rezulton se biznesmeni Artur Shehu i shpallur në kërkim nga SPAK, i ka shitur kësaj kompanie prona, ndërsa hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht transaksionet.

Shehu ndodhet në SHBA prej vitit 1999 ku ka marrë azil politik, pasi gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri ka pasur rivalitet me bandën e Zani Çaushit në Vlorë.
Shehu ka lidhje dhe me pronën e debatueshme këto kohë të Zvërnecit ku pritet të investojë Jared Kushner dhe Ivanka Trump, përmes një kompanie nga Katari.
Ndërkohë, mësohet se janë sekuestruar edhe pasuri të lidhura me persona të tjerë. Konkretisht, janë vendosur në sekuestro prona të Erion dhe Adrian Ramaj, nipat e Fatmir Ramës, i njohur si “Miri i Xhikes”, i vrarë në fillim vitet 2000.Bëhet fjalë për vila që gjenden në zonën e Green Coast në Palasë.