Shpërblim dhe shantazh”/ Gent Prongi publikon mesazhet: Administrata detyrohet të marrë pjesë në aktivitetin e Ramës!

Aktivisti Gent Progni, ka publikuar në rrjetet sociale disa denoncime në lidhje me presionin që po u bëhet punonjësve të administratës për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar sot për përvjetorin e krijimit të Partisë Socialiste.
Aktiviteti është planifikuar të zhvillohet në orën 17:30 në sheshin “Italia” në Tiranë, në një kohë kur prej ditësh në kryeqytet po zhvillohen edhe protesta qytetare.
Në një postim në Facebook, Progni ka publikuar një mesazh që, sipas tij, i është dërguar nga një qytetar në Berat.
Në këtë denoncim pretendohet se punonjës të administratës vendore dhe qendrore po ftohen ose detyrohen të marrin pjesë në aktivitet, ndërsa drejtues lokalë po hartojnë lista pjesëmarrësish dhe paralajmërojnë pasoja në rast refuzimi.
Në Berat po ushtrohet presion i drejtpërdrejtë mbi punonjësit e administratës vendore dhe qendrore për t’u paraqitur nesër me detyrim në te quajturen antiproteste në Tiranë.
Sipas informacioneve, po caktohen lista dhe numra pjesëmarrësish nga drejtues lokalë, me paralajmërime për pasoja në rast refuzimi.
U kërkohet gjithashtu të shkojnë me mjete private për të mos u identifikuar dhe per mos te ren ne sy qe po i detyrojne me zor. Kjo është një formë e hapur shantazhi dhe abuzimi me punonjesit e administrates”, thuhet në mesazh.
Në një tjetër denoncim të publikuar nga Progni, një qytetar pretendon se babai i tij është kontaktuar nga një numër i panjohur telefoni dhe është ftuar të marrë pjesë në aktivitet kundrejt një shpërblimi financiar.
Sipas të njëjtit pretendim, personi e ka refuzuar ofertën dhe më pas nuk ka mundur të kontaktojë më numrin që e kishte telefonuar.
“Pershendetje Gentjan, sapo telefonuan babin nje numer i panjohur duke e ftuar qe ti bashkohet anti protestes se neserme kundrejt nje shperblimi.
Sigurisht qe refuzoi. Provoi ta therrase pastaj ate numer dhe nuk i shkoi zilja. Shperndaje lajmin sa me shum po munde”, thuhet në mesazh.