Mashtronin qytetarët duke u paraqitur si përfaqësues të një shoqate bamirësie, arrestohet çifti nga Korça

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë e Tiranës për llogari të drejtorisë vendore të policisë së Korçës, pasi dyshohen se kanë ngritur një skemë mashtrimi financiar duke shfrytëzuar besimin e qytetarëve në nevojë.
Sipas burimeve hetimore, Adi Hodo dhe Paola Zyber prezantoheshin tek qytetarët si përfaqësues të një organizate bamirësie, duke u premtuar ndihma dhe mbështetje financiare.
Në fokus të tyre ishin kryesisht familjet me vështirësi ekonomike, si edhe persona me aftësi të kufizuara intelektuale.
Pasi fitonin besimin e tyre, të dyshuarit siguronin kopje ose fotografi të kartave të identitetit dhe të dhëna të tjera personale.
Më pas, sipas hetimeve, këto të dhëna përdoreshin pa dijeninë e qytetarëve për të aplikuar kredi online pranë institucioneve të mikrokredisë.
Nga verifikimet e kryera deri tani rezulton se në disa raste kreditë janë marrë në emër të personave të mashtruar, të cilët nuk kishin asnjë dijeni se mbi identitetin e tyre ishin krijuar detyrime financiare.
Dyshohet se në këtë skemë është përdorur edhe një institucion mikrokredie që operon në vend.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar numrin e saktë të viktimave dhe dëmin ekonomik të shkaktuar nga kjo veprimtari e dyshuar kriminale.
Policia u bën apel qytetarëve të mos dorëzojnë dokumentet personale tek persona të panjohur dhe të denoncojnë çdo rast kur dyshojnë se të dhënat e tyre mund të jenë përdorur në mënyrë të paligjshme.