Sheshet dhe rrugët plot/ Sot protesta e 18-të, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës! Grumbullimi do të nisë në orën 19:00

Qytetarët do të mblidhen sërish këtë të mërkurë për protestën e 18-të radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij.
Për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin, organizatorët kanë vendosur që tubimi të nisë në orën 19:00, ndryshe nga ditët e mëparshme.
Pavarësisht se protestat kanë hyrë tashmë në ditën e tyre të 18-të, pjesëmarrja ka mbetur e konsiderueshme.
Edhe mbrëmjen e djeshme, mijëra protestues u mblodhën përpara godinës së Kryeministrisë, duke vijuar mobilizimin e pandërprerë që prej nisjes së kësaj lëvizjeje qytetare.
Prej 17 ditësh me radhë, protestuesit kanë dalë në rrugët e Tiranës për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime politike.
Edhe këtë mbrëmje pritet që, pas qëndrimit për disa orë para Kryeministrisë, pjesëmarrësit të marshojnë nëpër akset kryesore të kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet dhe kërkesat e tyre.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore, dorëheqjen e Ramës.









