Protestat hyjnë në ditën e 20-të, qeveria zbulon ecurinë e projektit në Zvërnec: Në çfarë faze është dhe kur do të dorëzohet

Ndërsa protestuesit kanë hyrë sot në ditën e 20-të të protestave të tyre kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërneci, fillimisht i nisur si kundërshtim ndaj ndërhyrjeve në këtë zonë të mbrojtur dhe më pas i zgjeruar me një sërë kërkesash politike, përfshirë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës së vjetër politike, qeveria ka vijuar të mbajë qëndrimin se projekti ndodhet ende në fazë studimi dhe projektimi.
E pyetur pas mbledhjes së sotme të qeverisë lidhur me ecurinë e projektit dhe afatet e përfundimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ministrja Delina Ibrahimaj sqaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt final i miratuar për zonën e Zvërnecit dhe se puna po zhvillohet nga ekipe arkitektësh, inxhinierësh dhe specialistësh të mjedisit, të cilët po hartojnë variantet dhe studimet përkatëse.
Sipas asaj që ministrja e kabinetit Rama ritheksoi edhe njëherë, qeveria do të shqyrtojë çdo projekt vetëm pasi ai të jetë i plotë dhe të përmbushë standardet mjedisore dhe kërkesat e përcaktuara në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Qeveria shqiptare nuk e ka ende një projekt final që ta ndajë me publikun. Në momentin që do të vijë propozimi, ai do të jetë një propozim që do t’i plotësojë të gjitha kushtet mjedisore, standardet e mjedisit.
Është në qëllimet tona që projekti të miratohet dhe të vazhdojë, padiskutim, brenda të gjitha standardeve që BE ka”, tha ajo, duke shtuar më tej se një nga projektet e paraqitura më herët nuk u miratua për shkakun se nuk plotësont kërkesat dhe kriteret e qeverisë shqiptare lidhur me mbrojtjen e mjedisit.
Ndërsa qytetarët kërkojnë anulimin e projektit të Zvërnecit, qeveria vijon të insistojë që projekti do të bëhet. Keni dijeni se kur do të përfundojë studimi mbi impaktin që do të ketë në mjedis dhe kur parashikon qeveria të bëjë prezantimin e këtij projekti?Ibrahimaj:
Ne që prej fillimit të protestave, kemi bërë të qartë dhe transparente që ende nuk kemi një projekt për zhvillimin e zonës së Zvërnecit.
Padiskutim që janë duke punuar arkitektë të njohur, janë duke punuar studiues dhe inxhinierë të cilët merren me ndikimin në mjedis, arkitektë të peizazhit po punojnë, siç kemi deklaruar në disa dalje publike, për të sqaruar publikun se jemi ende në fazën e një studimi dhe projektimi.
Qeveria shqiptare nuk e ka ende një projekt final që ta ndajë me publikun. Në momentin që do të vijë propozimi, ai do të jetë një propozim që do t’i plotësojë të gjitha kushtet mjedisore, standardet e mjedisit.
Është në qëllimet tona që projekti të miratohet dhe të vazhdojë, padiskutim, brenda të gjitha standardeve që BE ka.
Ne kemi një proces të nisur negociatash me BE, kemi një kalendar detyrash shumë mirë të përcaktuar, ku bën pjesë i gjithë legjislacioni që kemi edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe, padiskutim, në momentin që do të vijë projekti, i cili do të ketë një studim të impaktit në mjedis, ai do të analizohet nga strukturat dhe do të bëhet transparent.
Një projekt i kësaj përmase financiare të vijë jo vetëm për paratë që sjell në ekonominë shqiptare, por edhe për imazhin, standardet që sjell në turizëm dhe impaktin që mund të ketë.
Ne jemi mbështetës të vijimit të zhvillimit të projektit, sigurisht sipas çdo kushti dhe standardi.
Mund të jetë më i lartë fitimi. 4 miliardë ka qenë një projekt që është dorëzuar më parë dhe nuk është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pasi nuk i plotësonte standardet që ne kishim për çështjet e mjedisit dhe intensitetit të ndërtimit.
Projekti fillestar ka pasur një vlerë të ngjashme. Ne nuk e dimë sa do të jetë vlera e projektit që do të vijë në miratim. Të bëj të qartë diçka, arsyeja pse investitorët vijnë në Zvërnec është natyra.
Pse disa investitorë kanë vendosur që të bëjnë një investim të këtyre përmasave është sepse është ajo natyrë dhe është në interesin tonë që të mbrojmë natyrën, por edhe në interesin e tyre që natyra të ruhet, sepse është një vlerë e shtuar.