Rama negociata me Ballukun për të votuar amnistinë, e pandehura e SPAK refuzon të paraqitet në Kuvend…

Me 84 vota pro, Kuvendi miratoi dje amnistinë penale, nga e cila do të përfitojnë 1335 të dënuar. Sipas pr/ligjit të miratuar me votat e Partisë Socialiste dhe ato të PSD-së, 466 persona do të lirohen menjëherë nga burgu, nga të cilët 11 janë gra dhe 1 i mitur. Ndërkohë, 869 të tjerët do të përfitojnë ulje dënimi, mes tyre 8 gra dhe 1 i mitur.
Nga amnistia do të përfitojnë burrat që deri më 31 maj 2026 janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vite burg ose u kanë mbetur pa vuajtur deri në 3 vite dënim, si edhe gratë e dënuara deri në 4 vite burg ose të cilave u kanë mbetur pa vuajtur deri në 4 vite dënim.
Nga amnistia nuk përfitojnë personat e dënuar për terrorizëm, trafikim, krime seksuale, korrupsion, etj, dhe asnjë nga subjektet e SPAK dhe GJKKO. Kryeministri Edi Rama mbërriti në Kuvend pas gati 3 orë e gjysmë ndërprerje seance.
Ai ngriti kartonin t’i dhënë dritën jeshile amnistisë penale, ndërsa në sallë u rishfaq edhe deputetja Elisa Spiropali, e cila dukshëm është distancuar që pas disa përplasjeve që ka pasur me kryesocialistin.
Pasi bllokuan foltoren për gati 4 orë dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancës Partia Demokratike siç kishte paralajmëruar, nuk e votoi. Kur deputetët u kthyen pas 3 orëve e gjysmë ndërprerje, ligjvënësit demokratë bojkotuan votimin dhe e lanë gjysmën e sallës bosh edhe pse gjatë paradites, kishin kritikuar mungesën e kryeministrit. Z. Berisha e kishte paralajmëruar se nuk do ta votojnë amnistinë, pasi sipas tyre në rend dite duhej të ishin vetëm kërkesat e protestuesve.
“Nuk e votojmë amnistinë. S’kemi asgjë tjetër në rend përveç kërkesave të protestuesve. Rendi i ditës janë kërkesat e protestuesve”, tha Berisha më herët gjatë ditës. Të vetmit deputetë në sallë, ishin ata të partisë “Mundësia” që hidhnin pa mikrofon akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar dorëheqjen.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi e përjashtoi Shehajn nga seanca. “Vazhdoni në oborr me Tik-Tok-un tuaj. Te lulishtja”, i tha Peleshi-Shehajt ndërsa i njoftoi përjashtimin. Shehaj nuk u largua nga salla, ndërsa u filmua në një moment edhe pranë foltores duke hedhur akuza në drejtim të shefit të qeverisë.Prapaskenat
Ndërkohë deputeti i PD, Belind Këlliçi ka deklaruar se mazhoranca ka negociuar me Belinda Ballukun për të marrë pjesë në votimin e projektligjit për Amnistinë Penale. Për Syri Tv, Këlliçi tha se Balluku nuk ka pranuar të marrë pjesë në procedurën e votimit.
“Ka patur negociata me Belinda Ballukun deri rreth orës 2 apo 3 në drekë që të vinte në Kuvend për të votuar amnistinë. Sipas informacioneve informale po e them dhe njëherë që kemi marrë, nuk ka pranuar të vijë dhe të votojë për amnistinë apo të marrë pjesë në asnjë procedurë votimi në parlament”, tha Këlliçi.
Demokrati iu referua edhe kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministres. Këlliçi tha se i kishte kërkuar informacion kryetarit të Kuvendit, por ky i fundit ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
“Tashti, unë i kam bërë një pyetje sot një javë më parë Niko Peleshit, për të cilën ende nuk kam marrë përgjigje zyrtare nga Niko Peleshi. A ju ka ardhur kërkesa e dytë nga prokuroria e posaçme për masën e sigurisë për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku?
Ende sot që flasim ka kaluar një javë, e kam pyetur dhe sot Niko Peleshin por jo me mikrofon, e pyeta si nga vendi dhe kur kam shkuar për të debatuar, dhe nuk jepet përgjigje nga kryetari i Kuvendit.
Duhet që kryetari i Kuvendit t’ia përcjellë Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, dhe ata të njoftojnë mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve dhe të njoftojnë deputetët përkatës të PD-së dhe të PS-së”, deklaroi deputeti Këlliçi.
Megjithatë, siç e theksuam më sipër, e pandehura e SPAK, Belinda Balluku refuzoi të paraqitej në Kuvend, ndërsa amnistia penale u miratua me votat e deputetëve të Tom Doshit, për shkak se Partia Socialiste nuk i kishte votat.