Ish-ministri Ylli Pango paraqitet në GJKKO, do të dëshmojë për “Partizanin”

Ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango është paraqitur në ambientet e GJKKO, për seancën e radhës së gjyqit për aferën “Partizani”, pasi do të dëshmojë në lidhje me të.
Ka qenë Pango ai i cili ndryshoi ligjin për sportet, për t’i hapur kështu rrugë ndërtimit të 19 kullave nga Jamarbër Malltezi. Dëshmitarët e tjerë janë Tetis Lubonja, Altin Ceni e Paro Laçi.
Kujtojmë se karriera e Ylli Pango përfundoi në mënyrën që ai vetë nuk do ta kishte dëshiruar.
Në vitin 2009, emisioni investigativ Fiks Fare dërgoi në banesën e tij një gazetare të infiltruar, e cila kërkonte të punësohej në Ministrinë e Kulturës që drejtonte asokohe Pango.
Pamjet e transmetuara shkaktuan debat të madh publik, ndërsa fraza e tij “Ç’i ke ato mbërthecka”, referuar kopsave të veshjes së gazetares, u kthye në një nga episodet më të komentuara të asaj kohe.
Mjaftoi ajo ngjarje që Sali Berisha të njoftonte shkarkimin e Pangos, duke e konsideruar episodin “të papranueshëm për moralin dhe standardet e qeverisë”.
Edhe pse më pas ai ndoqi procese gjyqësore dhe në një fazë arriti të fitonte gjyqin ndaj emisionit, ish-ministri nuk iu rikthye më jetës aktive politike.