Blegtoria në krizë, numri i bagëtive bie në 2.1 milionë, prodhimi i qumështit reduktohet në nivelin më të ulët
Blegtoria në krizë

Më pak bagëti ka nëpër stalla, e gjithmonë më pak ushqime në tryezat e shqiptarëve nga prodhimi blegtoral vendas. Të dhënat e fundit tregojnë se tufat e bagëtive në Shqipëri po zvogëlohen çdo vit, me mijëra krerë më pak. Numri i bagëtive ra në 2.1 milionë krerë në vitin 2025, ose rreth 83 mijë më pak se në 2024-ën. Sipas INSTAT ndikim në këtë rënie ka dhënë zvogëlimi i tufave të imta (dhi/dele), ndërsa numri i gjedhëve (lopëve) u rrit lehtë. E nga ana tjetër ‘gotat e qumështit’ po mbushen me më pak prodhim vendas.
Prodhimi i qumështit në Shqipëri po shënon rënie të pandërprerë, duke shënuar nivelin më të ulët të dekadës gjatë vitit 2025, kur u prodhuan vetëm 868 mijë tonë qumësht në total. Ulja e prodhimit vendas i hap rrugë shtimit të importit, pasi sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave në 2025-ën u blenë nga jashtë 8,117 tonë qumësht kryesisht nga Serbia, Greqia, Sllovakia, Gjermania, Kosova dhe Hungaria.
Ndërsa prodhimi i mishit u rrit lehtë nga 130 mijë tonë në 2024-ën në 134 mijë tonë vjet, por përsëri ishte i pamjaftueshëm për të furnizuar të gjithë konsumatorët vendas, ndaj u importuan 45 mijë tonë mish nga jashtë. Blegtoria njëjtë si edhe bujqësia është në krizë prej vitesh tashmë, për shkak të një sërë faktorëve por kryesisht prej emigrimit të banorëve nga zonat rurale drejt qytetit apo jashtë vendit. Ndikim po ashtu ka dhënë mungesa e financimit të mjaftueshëm për të shtuar tufat, ndaj këtë vit qeveria vendosi që me skemën kombëtare të shtojë mbështetjen për blegtorinë më shumë sesa për bujqësinë.
Taljo per botim online tek rubrika ekonomi
Në 2025-ën prodhuam më shumë perime, por fermerët ‘braktisën’ grurin dhe patatet
Fshati po zbrazet dhe bujqësia po përballet me mungesë punonjësish për të punuar tokën. Edhe pse prodhimi në disa sektorë është rritur, problemet me të cilat përballet sektori vijojnë ta mbajnë bujqësinë shqiptare në krizë, e kontribut negativ në rritjen ekonomike. Instituti i Statistikave njofton se prodhimi bujqësor në 2025-ën arriti në 9.7 milionë tonë, me rritje të prodhimit kryesisht të perimeve. Referuar të dhënave vjet janë prodhuar 1 milionë e 445 mijë tonë perime shifra më e lartë e regjistruar që prej 2020-ës, dhe qarqet me prodhimin më të lartë ishin Fieri, Tirana dhe Berati. Në grupin e perimeve rritje prodhimi është regjistruar vetëm tek perimet e njoma me 1.07% dhe tek ato bostanore me 5.7%, kurse tek perimet e thata rënia është e lartë prej 6,7 %.
Prodhimi i patateve ka pësuar rënien më të madhe vjet, me 20 mijë tonë. Në gjithë vendit vjet nga kjo kulturë u kultivuan vetëm 257 mijë tonë në total. Rënie gjithashtu është regjistruar edhe tek fasulet me 1800 tonë më pak se në 2024-ën. Raporti i INSTAT nxjerr në pah gjithashtu edhe një rënie të fortë me 10.1% të prodhimit të grurit, pasi për shkak të mungesës së tregut, fermerët mbollën më pak grurë vitin e kaluar.
Nga 180 mijë tonë grurë që u prodhua në vitin 2024, vjet kjo sasi ra në 162 mijë tonë, menjëherë pasi qeveria vendosi të mos e subvencionojë këtë kulturë. Kriza që solli lufta në Ukrainë ktheu edhe një herë sytë nga prodhimi i drithërave, pasi çmimi i grurit u rrit fort, ndaj qeveria e vuri si kulturë që subvencionohej por që e hoqi menjëherë pasi çmimet u ulën.
Gjithashtu vjet është ulur edhe prodhimi i ullirit me 2.3%, më në total 143.383 tonë, ku qarqet kryesore të prodhimit janë Fieri, Elbasani, Berati dhe Vlora. Kurse bimët medicinale shënuan rritje me 9,6 %, me në total 21 mijë tonë të prodhuara në 2025-ën, që janë kryesisht të destinuara për eksport. Sa i takon frutave në gjithë vendin gjatë vitit të kaluar janë prodhuar 253.450 tonë ose 12.8% më pak se në 2024-ën. Përtej faktorëve ‘tradicional’ si mungesa e financimi, emigrimi i fuqisë punëtore, puna e bazuar në makineri të vjetra, mungesa e tregut apo problemet me cilësinë e farave, fermerët po përballen gjithnjë e më shumë me kërcënimet klimatike me zjarre të shumta dhe thatësirë në verë e përmbytje të shumta në vjeshtë e dimër.