Merr fund hantavirusi! OBSH shpall përfundimin e epidemisë, shërohet pacienti i fundit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur zyrtarisht fundin e epidemisë së hantavirusit, i cili shpërtheu në anijen turistike MV Hondius, pasi asnjë rast i ri nuk është regjistruar që prej 25 majit.
Ka qenë drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ai i cili ka konfirmuar lajmin duke u shprehur se pacienti i fundit përfundoi periudhën 42-ditore të monitorimit dhe karantinës, rezultoi negativ dhe u kthye në shtëpi.
Kujtojmë se epidemia filloi gjatë lundrimit të anijes turistike MV Hondius nga Argjentina dhe u shkaktua nga virusi i Andeve, një lloj i rrallë dhe vdekjeprurës i hantavirusit, gjithësej u infektuan 13 persona, prej të cilëve 3 humbën jetën. Ndërsa mbi 650 kontakte u monitoruan në 33 vende dhe territore të ndryshme.
Por megjithëse ky “shpërthim” u deklaua i mbyllur, zyrtarët e OBSH bëjnë me dije se hantaviruset mbeten një rrezik për shëndetin publik në zonat ku janë endemike, si Amerika e Jugut.
Aktualisht është në zhvillim një studim që përfshin 21 vende për të përmirësuar diagnostikimin, trajtimet dhe vaksinat e mundshme.



