Rama mbyll kolegjet e Gylenit për t’i dhënë dorën Erdoganit në Samitin e NATO‑s, ftesa e Turqisë iu nis Bajram Begajt, si presidenti u tërhoq pas presionit të kryeministrit

Zhvillimet e fundit diplomatike rreth Samitit të NATO‑s në Ankara kanë sjellë në dritë një rrjet të ndërlikuar marrëdhëniesh, prapaskenash dhe presionesh politike që prekin drejtpërdrejt udhëheqjen e Shqipërisë. Ndërsa zyrtarisht vizita e kryeministrit Edi Rama paraqitet si një rikonfirmim i angazhimit të vendit si aleat aktiv në Aleancën Atlantike, pas fasadës së shtrëngimit të duarve fshihen ftohje diplomatike dhe lëvizje taktike për mbijetesë politike. Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, mbërritën dje në Ankara ku u pritën në darkën zyrtare të organizuar nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe zonja e parë, Emine Erdoğan.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, axhenda e kryeministrit në këtë samit përfshin një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO‑s, Mark Rutte, pjesëmarrjen në sesionin e punimeve me liderët e shteteve aleate, si dhe një takim me Erdogan. Gazeta “SOT” e ka raportuar në artikujt e kaluar se marrëdhëniet mes Tiranës dhe Ankarasë po kalojnë një periudhë ftohjeje. Dyshimet për këtë ftohje përforcohen edhe më shumë për nga mënyra se si u trajtua ftesa për këtë samit. Raportohet se presidenti turk, i pakënaqur me disa qëndrime të mëparshme të qeverisë shqiptare, dyshohet se zgjodhi t’ia dërgonte ftesën fillimisht Presidentit të Republikës, Bajram Begajt, dhe jo kryeministrit.
Megjithatë, Begaj e refuzoi ftesën dhe dyshohet se ky refuzim erdhi nën presionin e kryeministrit, për të cilin prania në këtë samit konsiderohej jetike për imazhin e tij si lider me peshë ndërkombëtare pas protestave që kërkojnë largimin tij.Lëvizja e Ramës
Gazetari Genc Burimi zbuloi se për të zbutur tensionet me udhëheqjen turke dhe për të siguruar vëmendjen e presidentit Erdoğan, Rama duket se ka ndërmarrë hapa konkretë që përkojnë saktësisht me kohën e vizitës. Në momentin e nisjes së kryeministrit drejt Ankarasë, u mor vendimi për mbylljen e një institucioni, i cili njihet si i lidhur me lëvizjen gyleniste, një kërkesë e kahershme kjo e Ankarasë zyrtare.
“Në Turqi u takua vetëm me ministrin e Tregtisë së Jashtme të Turqisë. Rëndësia e kësaj është se ka një ftohje në marrëdhëniet mes tyre. Rama, deri para pak ditësh, nuk ishte i sigurt që do të shkonte në Turqi. Erdogani nuk ia ka harruar disa qëndrime që Rama ka mbajtur më herët. Ndoshta edhe Erdogani mendon se e humbi trenin për Shqipërinë.
Në Shqipëri, Erdogani ishte i interesuar kryesisht për çështje kulturore, fetare dhe për ndërtimin e xhamive, jo për të tjera gjëra. Me këtë, Rama shpjegonte orientimin e tij pro-izraelit dhe afrimin që bëri pas çështjes Beleri. Kjo, ndoshta, iu bë e qartë Erdoganit. Për t’u hakmarrë, ftesën për samitin e NATO‑s nuk ia dërgoi Ramës, por Begajt. Begaj e refuzoi, në mënyrë që të shkonte Rama.
Në fund, Erdogani e “torturoi”, në thonjëza. Për Ramën ishte jetike të shkonte në atë vizitë në Turqi. Ishte pothuajse një çështje mbijetese politike, kur ai i jep kaq rëndësi takimeve me liderët botërorë. Pas takimeve me presidentin francez Makron, Rama paraqitej si një lider me peshë ndërkombëtare.
Ai do të bënte gjithçka për të qenë pjesë e atij samiti në Ankara. Kam dëgjuar nga një korrespondent shqiptar në Ankara se presidenti Begaj nuk ishte pritur mirë nga Erdogani, sepse shihej si një vegël e Ramës. Në momentin që Rama shkon sot në Ankara, mbyllet një kolegj mjekësor turk i lidhur me lëvizjen Gyleniste.
Pa përmendur emrin, kjo ndodh pikërisht kur Rama hipën në avion. Çfarë interesi ka Erdogani në Shqipëri? Ai ka interes për fushatën e tij të ndikimit turk. Shqipëria po blen pajisje ushtarake turke. Rama lë peng buxhetin për këto blerje dhe kjo u konfirmua edhe nga takimi që pati pak më parë me ministrin e Tregtisë së Turqisë.
Pra, Rama bëri gjithçka për të qenë i pranishëm në këtë samit”, tha ai ndër të tjera. Prej më shumë se një dekade, Ankaraja ka ushtruar presion mbi Shqipërinë për mbylljen e institucioneve që i konsideron të lidhura me lëvizjen e Fethullah Gylen, armikut politik të Erdoganit, të cilin Turqia e akuzon për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016.
Qeveritë shqiptare, përfshirë edhe kabinetin Rama, nuk kishin pranuar deri më tani të ndërmerrnin një hap të tillë, duke e konsideruar çështjen si të brendshme. Pikërisht për këtë arsye, përkimi i mbylljes së këtij institucioni të lidhur me Gylen me vizitën e Ramës në Ankara ngre pikëpyetje politike.
A është kjo thjesht një rastësi administrative, apo një sinjal ndaj presidentit turk në një moment kur marrëdhëniet mes dy liderëve duket se kanë kaluar një periudhë ftohtësie?