
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duket se po ndien një rrezik tejet të madh për shkak të avancimit të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Dosjet e tij voluminoze dhe tronditëse që ndodhen në duart e prokurorëve specialë kanë krijuar një situatë alarmante për zyrtarin e lartë socialist.
Edhe pse prej javësh z. Balla, i njohur ndryshe në opinion dhe në qarqet politike e kriminale si “Tao”, po shfaqet tejet protagonist në rrjetet sociale duke u shtirur sikur gjithçka po shkon normalisht, e vërteta pas kësaj fasade është krejt ndryshe.
Ish-ministri i Brendshëm, mësohet se është i terrorizuar dhe në panik të plotë nga zhvillimet e fundit. Mbi kreun e grupit të PS rëndojnë akuza të forta, ndërsa ai cilësohet si një “ushtar” dhe “zar” në shërbim të bandave kriminale. Përveç lidhjeve të errëta me botën e krimit, në fokus të dyshimeve është edhe përfshirja e tij në afera të pastrimit të parave.
Sipas të dhënave të fundit që qarkullojnë në ambientet politike dhe mediatike, situata ka arritur në pikën kritike, teksa flitet se SPAK ka bërë gati fletë-arrestin për deputetin socialist. Kjo kërkesë pritet t’i dërgohet zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë për t’i hequr fillimisht imunitetin parlamentar, gjë që do t’i hapte rrugën prangosjes së tij.
Prapaskenat
Ndërkaq burime nga procesi hetimor bëjnë me dije se zbërthimi i komunikimeve dhe hetimet e thelluara ndaj grupeve të strukturuara kriminale kanë nxjerrë në dritë përgjime të frikshme. Sipas dokumenteve që disponon prokuroria, emri i Taulant Ballës del i implikuar drejtpërdrejt në këto rrjete të paligjshme.
Kjo do të thotë se SPAK ka tashmë në dispozicion një dosje të “frikshme” dhe me prova të forta kundër tij. Në këto kushte, kur laku po i ngushtohet dita-ditës dhe situata po vlon, Balla po tenton të mbajë një qëndrim publik sikur është “i kulluar” dhe i paprekshëm, duke u përpjekur të fshehë panikun që e ka mbërthyer.
Megjithatë gjithçka tregon se ditët në vijim do të jenë tejet të nxehta për politikën shqiptare, jo vetëm prej temperaturave të stinës, por prej “tërmetit” të drejtësisë që pritet të tronditë themelet e mazhorancës socialiste.
Pas ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila sipas të njëjtave burime ndodhet gjithashtu një hap larg burgut për shkak të akuzave të rënda që rëndojnë mbi të, Taulant Balla konsiderohet si “peshkaqeni i madh” i radhës që pritet të bjerë në rrjetën e SPAK-ut, duke shënuar një goditje të pashembullt në kupolën e Partisë Socialiste.
Akuzat
Ndërkohë në vijim të të dhënave tronditëse mbi këtë dosje, gazetari investigativ Basir Çollaku dhe ish-kryeministri Sali Berisha disa herë kanë hedhur dritë mbi detaje konkrete të përgjimeve, ku implikohet drejtpërdrejt Taulant Balla. Gazetari Çollaku zbuloi se në dokumentet zyrtare të dosjes pasqyrohet një pazar i frikshëm, ku kreu i bandës së Elbasanit, Suel Çela, i ka kërkuar “Taos” arrestimin e disa emrave specifikë, duke i premtuar në këmbim Partisë Socialiste 9 deputetë në këtë qark.
Sipas Çollakut, kjo kërkesë mori edhe miratimin e kryeministrit Edi Rama, pasi mesazhi iu përcoll atij në një copë letër dhe mori konfirmim të plotë për të burgosur rivalët në shkëmbim të votave. Në kuadër të këtyre pazareve politike dhe kriminale, zbardhja e aplikacionit “SKY ECC” po nxjerr në dritë se si strukturat e shtetit u vendosën plotësisht në shërbim të grupeve të strukturuara.
Përgjimet tregojnë se “Tao” nuk funksiononte thjesht si një zyrtar i korruptuar, por si një garantues i interesave të bandës së Suel Çelës në nivelet më të larta të ekzekutivit. Kjo skemë e frikshme, ku policia dhe prokuroria përdoreshin për të eliminuar rivalët e krimit në këmbim të mandateve parlamentare, ka tronditur edhe partnerët ndërkombëtarë që monitorojnë drejtësinë shqiptare.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar publikisht pasazhe të tjera nga dosja investigative, duke vënë theksin te komunikimet e zbardhura nga aplikacionet e enkriptuara “SKY ECC” dhe “EncroChat”.
Berisha deklaroi se televizioni kombëtar i Belgjikës ia ka nxjerrë tashmë emrin zyrtarit socialist, duke e cilësuar “Dosjen 26/1” si dosjen e ferrit për dyshen Rama-Balla. Sipas përgjimeve të zbardhura nga targeti me PIN-in specifik AM5P80, grupi i Suel Çelës nuk i kërkoi “Taos” tendera publikë, por vetëm prangosjen e fisit rival të Çapjave.
Kjo marrëveshje kriminale u zbatua pikërisht në mars të vitit 2021 para zgjedhjeve, kur arrestimi i Ardjan Çapjas bëri që Balla të shpallej “kampion votash” në Elbasan. Implikimi i tij në dosjen “Toyota Yaris” dëshmon gjithashtu se pastrimi i parave të pista dhe ndikimi mbi oficerët e BKH-së ishte një praktikë e shtrirë në kohë.
Përveç kësaj, lideri i opozitës denoncoi një tjetër bisedë të datës 13 prill 2020, ku sipas kodit “1FA806”, Balla kishte marrë përsipër për llogari të bandës që të pastronte plotësisht Komisariatin e Elbasanit dhe të dëbonte të gjithë policët e lidhur me “Boerët”.
Ndërhyrjet kirurgjikale në emërimet dhe shkarkimet brenda Komisariatit të Elbasanit konfirmojnë se asnjë zyrtar i ndershëm policie nuk mund të vepronte jashtë urdhrave të kupolës politiko-kriminale. Akuzat ndaj tij thellohen edhe më tej me dosjen e famshme “Toyota Yaris”, ku përmes përgjimeve të ish-punonjëses së BKH-së Erjona Daupaj dhe avokatit Radovan Çela, provohet se paratë e sekuestruara ishin të përbashkëta me Astrit Vladin.
Në fund, Berisha ka denoncuar edhe ndërhyrjen direkte të Ballës ndaj anëtarit të KLP-së, Vatë Staka, duke urdhëruar lirimin e personave që i kishin vënë eksploziv Lul Kullës në Shkodër. Të gjitha këto episode të dokumentuara plotësojnë mozaikun e një dosjeje që po çon drejt fundit politik dhe penal kreun e grupit të PS. Tashmë që provat e siguruara nga hetuesit belgë dhe francezë ndodhen në tryezën e SPAK, presioni ndaj prokurorëve specialë për të firmosur mandatin e arrestit është maksimal.