
Prapaskena të nxehta dhe përplasje të egra brenda lidershipit të Partisë Socialiste po tronditin ujërat politike në vend vetëm tri ditë (tre ditë nga dje dhe dy ditë nga sot) përpara mbledhjes vendimtare të grupit parlamentar socialist me kabinetin qeveritar që do të mbahet këtë të premte më 24 korrik.
Pas lajmit të bujshëm se bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, Salarjon Totaj, është paraqitur në Policinë e Tiranës për t’u marrë në pyetje lidhur me disa mesazhe ndaj një zyrtari tatimesh, ka shpërthyer një luftë e hapur brenda llojit.
Media të afërta me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku e pasqyruan me shpejtësi lajmin, duke pretenduar se bëhet fjalë për mesazhe me përmbajtje kërcënuese për shkak të një kontrolli tatimor ndaj një biznesi të lidhur me të.
Sidoqoftë, burime zyrtare nga Policia e Tiranës ende nuk kanë nxjerrë asnjë njoftim zyrtar për procedurën apo përmbajtjen e këtyre mesazheve, duke e lënë situatën të mbështjellë me mister.
Nga ana tjetër, rrethi i afërt i zonjës Spiropali i ka hedhur poshtë me forcë këto pretendime, duke e cilësuar të gjithë ngjarjen si një shpifje të pastër me synim të qartë përbaltjen e figurës së saj politike dhe familjes së saj.
Ndërkohë burime të tjera theksojnë se kjo goditje mediatike nuk është gjë tjetër veçse një sulm i sponsorizuar drejtpërdrejt nga Belinda Balluku, e cila ndodhet në panik të plotë për të ardhmen e saj politike dhe juridike.
Me hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që po e rrethojnë për akuza të rënda si pastrim parash dhe korrupsion, e ardhmja e Ballukut po duket gjithnjë e më shumë drejt dyerve të burgut.
E ndodhur përballë këtij presioni ekzistencial dhe duke parë se si çdo “ushtar” i saj që ka zaptuar administratën publike dhe strukturat e PS-së rrezikon të zbulohet dhe largohet nga postet që kanë, ajo ka vendosur të luajë kartën e fundit.
Pikërisht 72 orë para mbledhjes kyçe të PS-së, Balluku dje ka vënë në lëvizje kasnecët e saj mediatikë për të krijuar një stori goditëse ndaj rivales së saj të betuar, Elisa Spiropali. Ky sulm i sinkronizuar tregon qartë thellësinë e luftës së brendshme që ka mbërthyer Partinë Socialiste, ku paniku i Lubi Ballukut nga drejtësia po e çon strukturën drejt një përplasjeje pa kthim.
Spiropali kërkon pastrimin e PS-së nga të korruptuarit
Por kjo goditje e mefshtë mediatike nga ana e Ballukut nuk vjen në një vakum, pasi përplasja mes tyre ka qenë e vazhdueshme dhe mjaft e ashpër.
Ish-ministrja e Jashtme, njëherësh deputet e PS, Elisa Spiropali ka ndërmarrë disa herë sulme publike ndaj linjës së korruptuar brenda partisë, duke kërkuar me ngulm fshirjen e elementëve të inkriminuar që po mbajnë peng të ardhmen e mazhorancës.
Në një nga reagimet e saj më të forta dhe me mesazhe të drejtpërdrejta ndaj klanit të Ballukut, Spiropali është shprehur hapur për domosdoshmërinë e një reformimi rrënjësor brenda forcës politike. “Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë.
Shqipërinë që duam të ndërtojmë duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane. Për ta arritur këtë, Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër, pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe.
Ta bëjmë Marrëveshjen e Re të madhe, të thellë, të vërtetë, duke pasur parasysh, se po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin”, deklaronte qartë Spiropali.
Këto thirrje për vetëpastrim dhe heqjen e “ndryshqeve” e “pehlivanllëqeve” kanë goditur drejtpërdrejt interesat e klanit Balluku, i cili po përpiqet me çdo kusht t’i mbijetojë stuhisë së drejtësisë duke shpikur sulme e shpifje ndaj atyre që kërkojnë pastrimin e plotë të Partisë Socialiste.