
Ish-ministrja e Jashtme dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka lëshuar dje një deklaratë të fortë nga foltorja e Parlamentit, e cila ka trazuar ujërat politike.
Ndonëse në pamje të parë përplasja e saj u duk si një debat i drejtpërdrejtë me kreun e Partisë Demorkatike, Sali Berisha, me të cilin pati përplasje, mes rreshtave mesazhi ishte një goditje e hapur ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku dhe rrethit të saj. Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali e bëri të qartë se nuk ndikohet nga askush dhe paralajmëroi me tone të ashpra se çdo “bedel politik” apo zyrtar që përdor pushtetin për dëmtime personale do të fshihet pa mëshirë.
Ajo theksoi nevojën urgjente për reformim, vetëpastrim dhe korrigjim të administratës, duke e konsideruar këtë periudhë si një moment historik për vendin. Përmes kësaj fjalie, deputetja e PS-së tregoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe nuk frikësohet nga asnjë sulm i orkestruar pas krahëve. Duke prerë çdo tentativë për shantazh apo presion politik, ajo deklaroi me vendosmëri se çdo element i dëmshëm në sistem do të hiqet si një apendicit, mesazh ky që shkon drejtpërdrejtë për armiken e saj Belinda Balluku, e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion dhe pastrim parash. Pra kjo goditje e dyfishtë nga ana e Spiropalit konsiderohet si një mesazh i drejtpërdrejtë mazhorancën socialiste, e cila duhet të distancohet nga politikën si Lubi Balluku.
Deklarata e Spiropalit
“Edhe para protestës, edhe gjatë protestës unë kam folur për reformimin e pushtetit, nevojën për korrigjim, për vetëpastrim, për vetërregullim, për administratën, për nevojën për të kuptuar që ky është moment historik, kam folur për më shumë përfaqësim brenda partive, për ndryshimi të sistemi zgjedhor që ka prodhuar një banalitet sot.
Njerëzit janë të papërfaqësuar dhe janë në rrugë dhe nuk ka as dehje ideologjike dhe as asgjë veçse nevojën e njerëzve për të shpalosur veten. Kam folur për institucione shtetërore që instrumentalizohen kundër njërit dhe tjetrit, me besimin e madh që kemi mundësinë për ta ndryshuar këtë. Dhe unë po ju bëj pyetje, por ju e keni fuqinë? Po ti Sali e ke fuqinë ta hapësh rrugën dhe ta çlirosh opozitën tënde?
Të bëhesh pjesë e një ndryshimi që nuk i takon një partie por të gjithëve. Asnjë nga sulmet e asnjë bedel politik nuk më ndal dot te kjo, se nuk kam asgjë për të fshehur, asnjë njeri që përdor pushtetin se mendon se mund të dëmtojë politikisht, njerëzisht, familjarisht dikë, nuk do ia dalë sepse do hiqet si apendicit”, deklaroi Spiropali.
Ndërsa Berisha e thumboi. “Eliza, pëllumbesha në botën e çudirave nuk meriton asnjë përgjigje, kjo është replika që kam”, ishte përgjigjja e Berishës.