
Edhe pse po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion dhe pastrim parash, ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku duket se i “ka futur këmbët në një këpucë” kryeministrit Edi Rama, duke e shantazhuar hapur me video-kompromentuese të frikshme që i ngriu planin për spastrimin e kabinetit.Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të premte (dje) Grupin Parlamentar Socialist dhe kabinetin qeveritar ku prezantoi dy dokumente kryesore.
Sipas tij, këto dokumente do të shërbejnë si bazë për drejtimin e mandatit të katërt qeverisës dhe rolin e Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te reflektimet pas zhvillimeve të muajit qershor, duke theksuar se dokumentet mbeten të hapura për diskutim.
Kryeministri foli gjithashtu për protestën që ka kaluar mbi 50 ditë, duke vënë në dukje se mazhoranca përballet me sfida të reja. Ai u dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë ministrave, deputetëve dhe drejtuesve socialistë për të ndryshuar qasjen ndaj qytetarëve.
Rama i paralajmëroi ata që të mos i shohin protestuesit si “mosmirënjohës”, por si tregues të standardeve të reja që duhet të arrijë qeverisja. Ai nënvizoi se zëri i qytetarëve pas zgjedhjeve të qershorit duhet të shihet si një thirrje e qartë për reflektim të thellë.
Prapaskenat
Mirëpo, prapaskenat e kësaj mbledhjeje fshehin një dramë të vërtetë politike që ndryshoi tërësisht rrjedhën e ngjarjeve. Burime për gazetën “Sot” bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama kishte në tavolinë dy alternativa kryesore veprimi. E para ishte bërja e ndryshimeve radikale në qeveri për të përzënë përfundimisht strukturën e Belinda Ballukut, sidomos personat nën hetim. E dytë ishte nisja e lëvizjeve brenda Partisë Socialiste për të sjellë një rigjenerim të plotë të strukturave drejtuese.
Por ka mjaftuar vetëm një mesazh i papritur nga Belinda Balluku që e ka ngrirë kryeministrin Rama dhe e ka futur atë në panik të plotë. Burimi për gazetën “SOT” zbulon se bëhet fjalë për një video të frikshme me fakte të tmerrshme që i është dërguar kryeministrit.
Kjo video e ka detyruar Ramën të devijonte fjalimin nga një katarsis i paralajmëruar në një “limonadë me ripjellje 2.0″. Plani origjinal i Ramës ishte që ditën e sotme të çonte te Presidenti ndryshimet e kabinetit dhe të hënën të mblidhte Parlamentin. Për këtë qëllim, deputetëve socialistë u ishte dhënë urdhër i prerë për një seancë shtesë më datë 27 korrik.
Menjëherë pas daljes nga mbledhja ka reaguar edhe vetë ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku përmes një postimi sfidues në rrjetet sociale. Ajo deklaroi se kryeministri Rama shpalosi në mbledhjen e zgjeruar platformën e re politike të quajtur “BESA”. Balluku shtoi se vendi e ka tejkaluar fazën e nevojave imediate dhe se qytetarët sot kanë pritshmëri legjitime drejt Europës.
“Kryeministri Rama shpalosi në mbledhjen e zgjeruar të GPS një platformë të re politike, një platformë të përqasjes së re ndaj qytetarëve në mandatin e katërt: BESA! Tashmë vendi ka tejkaluar fazën e nevojave imediate, fazën e investimeve dhe shërbimeve për të përmbushur kushtet bazë.
Sot qytetarët shqiptarë kanë pritshmëri legjitime nga shteti, pritshmëri legjitime që përputhen plotësisht me zhvillimin e shpejtë të vendit, ekonominë e qëndrueshme dhe, mbi të gjitha, me hapat e sigurt drejt Europës”, shkroi dje Balluku. Por kjo deklaratë publike tregon qartë se situata brenda mazhorancës ka marrë një kthesë të papritur e të fortë.
Zhvillimet e fundit lënë të kuptohet se kryeministri Edi Rama është kthyer në një figurë plotësisht të pafuqishme përballë ish-zv/kryeministres ose troç fare në qenin besnik të Ballukut. Pra ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duket se dje ia doli të bllokojë çdo tentativë të kryeministrit Rama për largimin e skuadrës së saj nga qeveria.