Legjenda e United në telashe, Rooney mund t’i nënshtrohet operacionit

Wayne Rooney rrezikon operacionin pas një pritjeje spektakolare ndaj Jordan Pickford
Legjenda e Manchester United dhe ish-kapiteni i Anglisë, Wayne Rooney, mund t’i nënshtrohet një operacioni pasi dëmtoi kyçin e dorës gjatë xhirimeve për një emision të BBC-së.
40-vjeçari u shfaq me dorën e fashuar gjatë analizës së finales së FA Cup, ndërsa zbuloi se dëmtimi ndodhi teksa ishte në portë gjatë një sfide argëtuese me portierin e Everton dhe Anglisë, Jordan Pickford.
“Siç e shihni, isha në portë te Everton. Bëra atë pritje dhe më pas dëmtova dorën,” tha Rooney, ndërsa në ekran shfaqej momenti kur ai hidhej në krahun e majtë për të ndalur goditjen e Pickford.
Ish-sulmuesi anglez tregoi se të hënën do të vizitohet nga një kirurg për të kuptuar nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Në studio nuk munguan as batutat, pasi ish-mbrojtësi Micah Richards e pyeti me humor: “A do të rritesh ndonjëherë?”
Rooney u përgjigj duke qeshur: “Më dhembi, por do të jem mirë,” duke shtuar se për shkak të dëmtimit nuk po mbante as unazën e martesës.