Të burgosurit presin Amnistinë, Toni Gogu: Është në Parlament, e mbyllim brenda këtij sesioni! Kreu i Drejtësisë flet për seancat me kamera dhe rishikimin e hartës gjyqësore

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë të burgosurit që presin Amnistinë Penale, duke u shprehur se drafti tashmë është në Parlament dhe pritet që brenda këtij sesioni të miratohet.
Janë më shumë se 10 mijë të burgosur dhe paraburgosur, të cilët presin të përfitojnë lirinë ose ulje të ditëve të qëndrimit në qeli.
“Ai është një instrument penal në dispozicion të shtetit shqiptar. Është hartuar, është dorëzuar në Parlament. Në javët në vijim, fillon diskutimi i atij instrumenti penal. E sigurt që ndodh brenda këtij sesioni”, u shpreh ministri Toni Gogu.
I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Drejtësisë, Toni Gogu nuk pranoi të jepte mendimin e tij mbi kërkesat e Ilir Metës, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj dhe të tjerëve për seancat me kamera, por theksoi se sipas ligjit, ajo është në dorën e gjyqtarit.
“Procesi duhet drejtpeshuar dhe këtë e bën gjyqtari i Republikës. Ndaj është parashikuar në Kodin e Procedurës…”, tha kreu i drejtësisë shqiptare, duke refuzuar të ndante mendimin e tij mbi këto kërkesa, ndërsa theksoi se nuk ndërhyrë te gjyqtarët sepse beson te integriteti i tyre.I pyetur në lidhje me një rishikim të mundshëm të hartës së re gjyqësore, e cila ka vetëm pak vite që është miratuar, ministri Toni Gogu tha se ky është një detyrim ligjor dhe do të ndodhë.
“Kam dëgjuar sidomos në qytete me një kulturë të vjetër juridike, siç është Korça dhe Shkodra, por dhe në çdo qytet tjetër, por besoj kemi një detyrim ligjor për të bërë rishikimin. Kjo hartë duhet të ketë në dispozicion të gjithë elementet e saj, kam parasysh këtu numrin e gjyqtarëve…”, u shpreh ai.