Rama për median estoneze: BE gaboi me Rusinë, Europa s’mund t’ia delegojë SHBA-së fatin e saj

Rama për median estoneze: BE gaboi me Rusinë, Europa s’mund t’ia delegojë SHBA-së fatin e saj
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste për median estoneze “Postimees”, ka folur gjerësisht për integrimin europian të Shqipërisë, luftën në Ukrainë, marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Rusinë dhe sfidat e sigurisë në Europë.
Në intervistën e dhënë gjatë Konferencës Lennart Meri Conference, Rama kritikoi qasjen e Bashkimit Europian ndaj Rusisë, duke deklaruar se Europa gaboi duke ia lënë plotësisht SHBA-së drejtimin e dialogut dhe negociatave me Moskën.
“Europa nuk mund të delegojë ekzistencën dhe pozicionin e saj në botë. Ishte gabim t’ia linte SHBA-së drejtimin e kësaj përballjeje dhe të dialogut me Rusinë”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Sipas Ramës, BE-ja duhet të ketë një rol më të fortë diplomatik dhe të mos heqë dorë nga komunikimi me Rusinë, pavarësisht mbështetjes për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus.
“Rusia nuk do të zhduket. Ajo do të mbetet këtu dhe duhet të rikthehet në një mënyrë apo tjetër në marrëdhëniet me Europën”, deklaroi ai.
Kryeministri shqiptar u ndal edhe te procesi i integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi kryesor strategjik i vendit.
“Për Shqipërinë, BE-ja është jashtëzakonisht tërheqëse. Ne nuk kemi alternativa të tjera dhe as nuk duam të kemi”, tha Rama, ndërsa shtoi se objektivi për anëtarësim deri në vitin 2030 mbetet realist.
Ai kritikoi gjithashtu mekanizmin e vetos brenda BE-së, duke argumentuar se Europa nuk mund të funksionojë me dhjetëra veto që ngadalësojnë vendimmarrjen.
“Nuk ka kuptim që Europa të varet nga 27 veto, e imagjinoni çfarë do të ndodhë me 35 veto”, u shpreh Rama.
Në intervistë, kryeministri foli edhe për marrëdhëniet mes Europës dhe SHBA-së në kuadër të NATO‑s, duke theksuar se Amerika mbetet një partner i rëndësishëm sigurie, pavarësisht ndryshimeve në politikën e jashtme amerikane.
Ndërkohë, i pyetur për investimet amerikane në Shqipëri dhe projektet e lidhura me Jared Kushner, Rama tha se ato nuk kanë lidhje me politikën, por me interesat private të biznesit.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, Rama mbrojti punën e institucioneve shqiptare dhe deklaroi se në vend nuk ekziston imunitet ndaj hetimeve.
Ai theksoi se 95% e shërbimeve publike në Shqipëri ofrohen online, duke reduktuar sipas tij mundësitë për korrupsion, ndërsa shtoi se sistemi shqiptar i prokurimeve publike konsiderohet më transparent se në disa vende të BE-së.
Në fund të intervistës, Rama komentoi edhe raportet për lirinë e medias në Shqipëri, duke mohuar pretendimet për presion të qeverisë ndaj mediave dhe duke argumentuar se shumica e raportimeve mediatike janë kritike ndaj qeverisë.



