Skënder Hita i ashpër me strukturat e Sarandës dhe Vlorës: Situata është e papranueshme! Kush ka lidhje me bandat, do të përjashtohet; zbrisni në terren dhe u shërbeni qytetarëve

Skënder Hita i ashpër me strukturat e Sarandës dhe Vlorës: Situata është e papranueshme! Kush ka lidhje me bandat, do të përjashtohet; zbrisni në terren dhe u shërbeni qytetarëveKryepolici Skënder Hita ka qenë në komisariatin e Policisë së Sarandës, pas ndryshimit të zinxhirit komandues në këtë stacion policor, dhe ka kërkuar nga të gjitha strukturat rritje të forcës reaguese dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi që strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë të reflektojnë menjëherë për të ndryshuar situatën dhe perceptimin e qytetarëve ndaj punës së Policisë.
“Është e papranueshme situata në Sarandë dhe kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndaj kërkohet reflektim, përgjegjësi dhe rikthim i besimit të qytetarëve te Policia.
Cilido që do mbajë lidhje apo do favorizojë grupet kriminale dhe elementet me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do merret drejtësia me të.Strukturat policore duhet të reagojnë me forcë ndaj grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, kapjes së shtetasve të kërkuar, trafikut të narkotikëve dhe ndaj çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe sigurinë publike”, ka theksuar kryepolici i Shqipërisë.
Reagimi i fortë i tij vjen pas skandalit të fundit në qytetin e Sarandës, ku u zbulua një ndërtim i paligjshëm dhe zaptimi i pronës së një qytetari që tashmë ka ndërruar jetë, duke ngritur dyshime se vdekja e tij në atentat me tritol mund të ketë pasur si prapavijë rrëmbimin e pronës.
“Ndërtimet pa leje në asnjë mënyrë nuk do të lejohen. Bashkëpunoni dhe koordinoni veprimet me strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e territorit.
Siguria në shkolla është prioritet mbi prioritete, deri në ditën e fundit të vitit shkollor kërkohet angazhim maksimal për sigurinë e jetës dhe shëndetit të nxënësve, sigurim informacioni me agjentët e Policisë Kriminale dhe goditje të atyre që tentojnë të dëmtojnë të ardhmen e vendit”, ka theksuar Skënder Hita.

Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar që Policia Rrugore dhe patrullat e përgjithshme të ushtrojnë kontroll të plotë ndaj shkeljeve që krijojnë kaos në qarkullim, parkimeve të gabuara, automjeteve të modifikuara dhe ndaj çdo paligjshmërie në rrugë. Gjithashtu, Forca e Posaçme “Shqiponja” duhet të rrisë prezencën dhe reagimin në terren, për goditjen e elementeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në qytet.
Edhe Policia Kufitare, sipas kryepolicit Skënder Hita, duhet të jetë më aktive në parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kontrollin e kufirit jeshil dhe monitorimin e mjeteve lundruese.
“Çdo kërcënim apo presion ndaj punonjësve të Policisë duhet të denoncohet menjëherë dhe do të përballet me forcën e ligjit, duke iu siguruar mbështetjen time të plotë”, është shprehur kryepolici i Shqipërisë.
Në prag të sezonit turistik, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore, për garantimin e rendit, sigurisë dhe ofrimin e një shërbimi profesional ndaj qytetarëve dhe turistëve vendas e të huaj.
Në përfundim, ai theksoi se Policia e Sarandës duhet të rikthehet në standardet që qytetarët meritojnë, përmes profesionalizmit, reagimit në kohë dhe zbatimit të paanshëm të ligjit.





