Bizneset u ankuan për mungesë plazhesh publike, Bashkia Pogradec reagon për rastin: Pretendime të pavërteta!

Bashkia Pogradec ka ndarë një sqarim lidhur me ankesat nga disa subjekte private për mungesë të hapësirës publike për plazhe në vijën liqenore.
“Po na zhduket plazhi publik”, biznesmeni në Pogradec kundërshton privatizimin e hapësirave në breg të liqenit
Bazuar në deklaratë, kjo bashki i cilëson këto qëndrime si të pabaza dhe dhe pretedime të pavërteta.
Sipas Bashkisë Pogradec, nuk është aspak e saktë që hapësirat e plazhit publik janë cunguar apo tjetërsuar për të favorizuar subjektet private.
“Vetëm në segmentin e plazhit ranor nga Hotel Enkelana deri tek banjat publike janë parashikuar gjithsej pesë hapësira publike, të cilat janë të evidentuara në hartën përkatëse (shih fotot, plazhet publike me të kuqe) dhe përfshijnë parcelat:
PG-34 (publik); PG-34/2 (publik); PG-35 – 50 m linear (publik); PG-36/1 – 22 m linear (publik); PG-36/2 – 20 m linear (publik)
Nga një gjatësi totale prej 185 metrash linearë plazh, (nga lodrat deri tek banjat publike) segmenti ndahet si më poshtë:
92.5 metra linearë plazh publik; 82.5 metra linearë plazh privat; 10 metra linearë hapësirë e dedikuar për varkat me pedalina.
Pra, siç tregojnë qartë shifrat, sipërfaqja publike është më e madhe se ajo private, edhe pse bëhet fjalë për një nga zonat më të kërkuara nga operatorët turistikë gjatë sezonit veror.
Bashkia Pogradec dhe strukturat përgjegjëse për administrimin e plazheve kanë qenë dhe mbeten të gatshme për të asistuar çdo subjekt në procedurat e aplikimit për leje shfrytëzimi, gjithmonë duke respektuar parimin themelor të mbrojtjes së hapësirave publike dhe të interesit të qytetarëve.
Për këtë arsye, deklaratat e nxituara dhe të pabazuara mbi administrimin e plazheve nuk i shërbejnë zhvillimit të turizmit në qytet dhe as interesit të bizneseve që operojnë gjatë sezonit turistik.
Duhet theksuar se përveç hapësirave publike të sipërpërmendura, në pjesën tjetër të plazhit ranor pranë zonës së njohur si “Konti” funksionojnë edhe të paktën 3 plazhe të tjera publike.
Po ashtu, plazhi “Uçkave” është tërësisht publik, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e vijës ranore në drejtim të Drilonit mbetet e lirë për përdorim nga qytetarët dhe vizitorë”,-thuhet në deklaratë.

