Akuzat për pronat në Divjakë, Berisha: Gënjeshtra, familja ime nuk ka pasur kurrë tokë atje

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj akuzave të bëra gjatë protestës së djeshme, ku u pretendua se vajza e tij, Argita Berisha, dhe familja e ish-kryeministrit kanë përfituar 63 hektarë tokë në Divjakë.
Berisha i ka cilësuar këto pretendime si të rreme duke mohuar që ai ose familjarët e tij të kenë pasur ndonjëherë pronë në atë zonë. Në reagimin e tij, ai akuzon vahzdimisht qeverinë për përdorimin e shpifjeve.Postimi i plotë i Berishës:
“Kur kauzat ngjyhen me shpifjet e qeverisëLidhur me deklaratën e një shpifëseje të paguar dje në protestë, se “Argita Berisha dhe familja e kryeministrit Berisha më kanë marrë 63 hektar tokë në Divjakë”, deklaroj se: kjo është një gënjeshtër e plotë dhe shpifje e turpshme.
Argita Berisha dhe familja e ish-kryeministrit Berisha nuk kanë dhe nuk kanë patur kurrë asnjë metër katror tokë në Divjakë dhe nuk i kanë marrë kujt kurrë asnjë metër katror tokë.
Sali Berisha dhe familja e tij është hetuar për 35 vjet nga militantët e Edi Ramës dhe në përfundim rezultoi se ata kurrë nuk kanë përfituar asnjë lekë publik, asnjë tender dhe asnjë cm2 tokë, publike e as private të tjetërkujt.
Pasi dështuan me shpifjet për interesat e mia e të familjarëve të mi në kullat e Tiranës, ditën kur Edi Rama duhet të jepte përgjigje për vjedhjen e pronës publike të provuar me dokumentat e rastit të hotelit Zig-Zag, duke qenë që përgjigje nuk jepte dot zgjodhi shpifjen.
Përlyerja e kauzave publike me gënjeshtra të dukshme është mjet i qëllimshëm i asfiksimit të kauzës dhe oksigjenimit të kësaj qeverie që ka vjedhur pronat publike e private të shqiptarëve dhe kërkon të fshihet pas shpifësave të saj.
Duke përfunduar Sali Berisha mbështet fuqishëm protestën e rinisë dhe qytetarëve, por natyrisht jo shpifjet dhe shpifësit që e dëmtojnë kauzën e saj”, shkruan Berisha.