Sokol Kuçi kishte dalë “të bënte namin” te Bulevardi i Ri, VIDEO: Antidroga e Tiranës e prangos me “2 bukë” me vete, informatorët çuan agjentët te kokaina

Sokol Kuçi, një 44 vjeçar me banim në Vorë, është prangosur nga agjentët e Antidrogës në DVP Tiranë pasi nga kontrolli që i është ushtruar, i është gjetur një sasi e madhe kokainë, e ndarë në doza për shitje dhe për furnizim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë kishin siguruar informacione se një shtetas do të transportonte dhe shpërndante një sasi të konsiderueshme lënde narkotike kokainë në zonën e Bulevardit të Ri dhe në segmentet rrugore që lidhin kryeqytetin me zonën e Urës së Paskuqanit.
Bazuar në këto informacione, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sokol Kuçi, 44 vjeç, banues në Vorë.
Gjatë operacionit, në rrugën “Riglata”, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan për kontroll 44-vjeçarin.
Atij iu gjetën dhe iu sekuestruan 2 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë të përgjithshme rreth 1 kg e 680 gramë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se Sokol Kuçi furnizonte persona të tjerë me lëndë narkotike kokainë, me qëllim shitjen e saj në doza, si dhe një pjesë të sasisë e shpërndante vetë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.