Fitime marramendëse / Shkatërrohet grupi shqiptaro-grek i trafikut të narkotikëve në Greqi! Në pranga kreu shqiptar

Policia greke ka goditur një organizatë kriminale të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike në Mykonos dhe rajonin e Atikës, duke arrestuar gjashtë persona pas një operacioni të gjerë hetimor.
Sipas autoriteteve në Greqi, hetimi kishte nisur prej muajit prill 2026 dhe u zhvillua me përdorimin e teknikave speciale, analizë komunikimesh dhe monitorim të personave të dyshuar. Grupi dyshohet se operonte si një rrjet i organizuar me role të ndara dhe aktivitet të shtrirë në zona turistike me fitime të larta.
Në krye të organizatës, sipas hetuesve, ndodhej një 37-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili dyshohet se koordinonte furnizimin me drogë, transportin, shpërndarjen dhe menaxhimin e fitimeve të paligjshme.
Bashkëpunëtori i tij kryesor ishte një 38-vjeçar grek, i konsideruar nga autoritetet si personi përgjegjës për kontaktet me klientët dhe organizimin e shpërndarjes.
Në kuadër të operacionit u arrestuan edhe persona të tjerë me role të ndryshme në rrjet, përfshirë një 25-vjeçar të përfshirë në shpërndarjen në terren, një 38-vjeçar rumun që dyshohet se administronte depot dhe pikat e fshehjes, si dhe një grua 31-vjeçare e dyshuar për posedim droge dhe lidhje me organizatën.
Hetimet zbuluan gjithashtu se grupi kishte ngritur një kompani transporti me furgonë në Mykonos, e cila përdorej si aktivitet mbulues për lëvizjen dhe shpërndarjen e drogës.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesa dhe ambiente në Mykonos, Pire dhe Perama, policia sekuestroi sasi të mëdha droge, përfshirë kokainë, MDMA, kanabis, ketaminë dhe substanca të tjera narkotike, si dhe automjete, telefona celularë, peshore elektronike, materiale paketimi dhe mbi 94 mijë euro cash.
Sipas autoriteteve greke, organizata dyshohet se ka përfituar mbi 700 mijë euro nga aktiviteti kriminal, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.