Llixhat e Bënjës rimbushen me ujë, Rama publikon videon: S’ka shkatërrim! Tjetër raketë digjitale, si ajo e flamingove

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale për lajmin se Banjot Termale të Bënjës janë shkatërruar dhe betonizuar.
Kreu i qeverisë ka publikuar pamje të ditës së sotme të llixhave, të cilat duken të rimbushuara me ujë dhe të frekuentuara nga familjarë, si dhe shton se lajmi për shkatërrimin e tyre ishte “një tjetër raketë digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime”.
“Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër raketë digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin e Banjove Termale të Bënjës, me të njëjtën metodë dhe me “ndihmën” e të njëjtave duar të huaja, që i dhanë algoritmit “dopingun” për një turravrap të paparë në përhapjen e alarmit për flamingotKush do të vërtetën e ka në këtë video, SOT, nga Bënja”,- shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen pas lajmeve të botuara në media dhe ankesave të turistëve që në mesin e sezonit turistik i gjetën vaskat bosh.Zona e Ujërave Termale të Bënjës prej muajsh është një kantier rikualifikimi, një investim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku janë parashikuar rrugë të reja aksesi, mjedise shërbimi të reja, me hapësira rekreative për çlodhje e për aktivitete që krijojnë edhe mundësi për festa kulturore e promovuese të traditës.
Të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, Banjat e Bënjës janë një nga destinacionet më të njohura natyrore dhe kurative në Shqipëri.
Të rrethuara nga Kanioni i Langaricës dhe pranë Urës së Katiut, ato kanë ndërtuar prej vitesh identitetin e tyre mbi burimet termale që burojnë natyrshëm nga nëntoka.
Ndërhyrjet në zonën e llixhave janë pjesë e projektit “Bënja – Destinacion Ndërkombëtar Turistik”, financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas dokumentacionit të tenderit, fondi limit i projektit ishte 209.7 milionë lekë, ndërsa kontrata iu dha kompanisë fituese “Ergi” SHPK me pronar Nuri Belba për rreth 162.7 milionë lekë pa TVSH.