“Ne protesta nuk na mund, asgjë nuk e mposht Partinë Socialiste”, Taulant Balla i prerë, vazhdon i qëndron deklaratës për Dritan Goxhajn: S’ka asnjë ditë në UÇK!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se protesta nuk përbën asnjë kërcënim për mazhorancën, duke theksuar se forca politike ku dhe ai bën pjesë nuk mund të mposhtet nga protesta të tilla.
Sipas tij, ajo që ka prodhuar protesta është thellimi i përçarjeve brenda opozitës, e cila sipas asaj që socialisti tha shumë prej tyre kërkojnë largimin e Berishës.
“Shoh mes jush shumë prej jush që gëzoni kur protestuesit thërrisnin: “Berisha burg”. Sepse e shikoni këtë të vetmin shpëtim nga Saliu. Ka këtu prej jush që doni të shpëtoni nga Saliu. Edhe shkoni në protestë se ne nuk e heqim Saliun, por ndoshta Zoti na ia heq protesta Saliun. Ju protesta ju mundi, ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste nuk e mund dot askush.
E di si thoshte njëri te protesta tani kur po hynit ju: “Ne na shajnë me libër shtëpie, ju ju thonin opozitë e shitur.”
E dini gjë pse ua thonë këtë fjalë? Dhe çdo ditë në atë protestë po thyhen kockat e mbetura nga ajo që dikur thuhej PD”, tha Balla gjatë fjalës së tij në Kuvend, ndërkohë që jashtë saj protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e Sali Berishës nga skena politike.
Gjatë fjalës së tij Balla u ndal sërish te Dritan Goxhaj, i cili ditë më parë u sulmua publikisht nga mazhoranca pasi lexoi pesë kërkesat e protestuesve. Ai përsëriti edhe një herë pretendimin se Dritan Goxhaj nuk ka shërbyer asnjë ditë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Ballës, dokumentacioni i vënë në dispozicion nga organizatat e veteranëve të UÇK-së e vërteton këtë fakt, ndërsa akuzoi opozitën se po tenton ta shfrytëzojë çështjen për përfitime politike dhe po përpiqet të përvetësojë protestën.
“Kam dëgjuar këto ditë edhe se u shqetësuat ju për të mbrojtur njëfarë Dritan Goxhaj, për të cilin po ua them këtu që nuk ka asnjë ditë në UÇK.
Një dokument që m’u vu në dispozicion nga organizatat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e morët, dhe aq të paudhë jeni sa u munduat ta përdornit për hesapet politike, siç doni të përdorni edhe protestën. Prandaj ua them edhe protestuesve: këta mos i lini t’jua vjedhin protestën”, tha Balla.