
Një 42-vjeçar nga Lushnja është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 27-vjeçare me probleme të shëndetit mendor.
Ngjarja është denoncuar në Komisariatin e Policisë Lushnjë, ku e reja është paraqitur së bashku me dy familjarë të saj dhe, në prani të psikologut, ka bërë kallëzim për rastin. Sipas deklarimit të saj, ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 22 korrik 2026.
Pas verifikimeve të para dhe kryerjes së veprimeve hetimore, policia ka shpallur në kërkim shtetasin S. M., 42 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Në vijim të hetimeve, një tjetër person ka përfunduar në pranga. Bëhet fjalë për D. Y., 32 vjeç, vëllai i 27-vjeçares, i cili është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se ka djegur me lëndë djegëse automjetin e nënës së 42-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur ndërsa motra e tij ndodhej në ambientet e komisariatit duke dhënë kallëzimin.
Autoritetet vijojnë punën për kapjen e 42-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.