
Një 65-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë si autori i dyshuar i aksidentit me vdekje të ndodhur në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku humbi jetën 74-vjeçarja me iniciale M. T.
Bashkë me të është arrestuar edhe djali i tij, 32 vjeç, i cili ndodhej në automjet në momentin e aksidentit. Sipas hetimeve, të dy u larguan nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmë të moshuarës dhe pa njoftuar Policinë.
Nga hetimet rezulton se 32-vjeçari dyshohet se fshehu automjetin tip “Mercedez Benz” të përfshirë në aksident dhe riparoi dëmtimet e tij, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Automjeti është gjetur dhe sekuestruar nga Policia, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i plotë i policisë
“Tiranë/Vijojnë hetimet dhe veprimet procedurale për zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave të aksidentit në autostradën “Durrës-Tiranë”.
Identifikohet dhe arrestohet 65-vjeçari që përplasi me automjet, me pasojë vdekjen, shtetasen M. T., 74 vjeçe. Në pranga dhe djali i 65-vjeçarit, pasi së bashku, u larguan nga vendi i aksidentit, pa i dhënë ndihmë 74-vjeçares, dhe nuk njoftuan Policinë. Gjithashtu, 32-vjeçari fshehu automjetin dhe e riparoi për të penguar zbulimin e së vërtetës. Gjendet dhe sekuestrohet automjeti tip “Mercedez Benz”.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me qëllim identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit që përplasi me pasojë vdekjen, shtetasen M. T., 74 vjeçe, rreth orës 04:10 të datës 23.07.2026, në autostradën “Durrës-Tiranë”, si dhe për sqarimin e rrethanave të aksidentit, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan, lokalizuan dhe kapën autorin e dyshuar të rastit, shtetasin Xh. M., 65 vjeç, banues në Durrës.
Më tej, në vijim të veprimeve u arrestua djali i 65-vjeçarit, shtetasi B. M., 32 vjeç, banues në Durrës, pasagjer në automjet, në momentin e aksidentit. 2 të arrestuarit dyshohet se janë larguar nga vendi i aksidentit, menjëherë pas përplasjes, pa i dhënë ndihmë 74-vjeçares, si dhe pa njoftuar Policinë.
Më pas, 32-vjeçari dyshohet se me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës, ka fshehur automjetin tip “Mercedez Benz” të përfshirë në aksident, si dhe ka riparuar dëmet që i ishin shkaktuar nga përplasja. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”