
Këshilli i Apelit në Selanik ka miratuar ekstradimin në Shqipëri të Ilir Shtufit, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar nga SPAK.
Shtufi u arrestua në Selanik më 13 qershor, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme. Ai është një nga personat që SPAK kishte prej kohësh nën hetim, si pjesë e një organizate ndërkombëtare të dyshuar të narkotrafikut.
53-vjeçari akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim të produkteve të veprës penale, të ardhura që dyshohet se burojnë nga trafiku i narkotikëve.
Pas arrestimit, ai u paraqit para Prokurorisë së Apelit në Selanik, ku u vendos të qëndrojë në paraburgim deri në shqyrtimin e kërkesës për ekstradim nga gjykata kompetente.Sipas mediave greke, gjatë paraqitjes para prokurorit ai kundërshtoi ekstradimin në Shqipëri, mohoi të gjitha akuzat dhe deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me çështjen.
Nga hetimet rezulton se Shtufi kishte hyrë në Greqi më 2 qershor, përmes pikës kufitare të Kapshticës (Krystallopigi). Po atë ditë, autoritetet shqiptare zhvilluan një operacion të koordinuar për arrestimin e tij dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje.53-vjeçari u lokalizua në një hotel në Selanik dhe u arrestua nga efektivët e Njësisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar në Greqinë Veriore, pas informacioneve të siguruara përmes INTERPOL-it.
Gjatë seancës gjyqësore për ekstradimin, Shtufi mohoi sërish akuzat dhe pretendoi se është objekt i një përndjekjeje politike nga qeveria e kryeministrit Edi Rama për shkak të aktiviteteve të tij sipërmarrëse. Ai gjithashtu shprehu shqetësim për sigurinë e tij dhe vuri në dyshim paanshmërinë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.