Helmimi i 56 studentëve të Akademisë së Policisë, AKU zhbllokon kompaninë e gruas së Nikolin Jakës: Analizat kanë dalë brenda normave!

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se ka zhbllokuar aktivitetin e kompanisë “SORI-AL”, sepse nga analizat që institucioni ka zhvilluar për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës, kanë rezultuar brenda normave.
56 studentë të Akademisë së Sigurisë në Sauk, policë të ardhshëm, patën probleme shëndetësore dhe përfunduan të gjithë në spital, megjithatë AKU sqaron se “Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV, informojmë që kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.“Kompania “SORI-AL” drejtohet nga Alma Jaka, bashkëshortja e Nikolin Jakës dhe në momentet e para kur ndodhi helmimi i studentëve, ajo u shpall në kërkim. Mësohet se kompania përgatit ushqim për Akademinë e Sigurisë dhe Garnizonin e Forcave e Armatosura.
AKU njofton se kreu procedurën e marrjes së mostrave për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë në Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së Garnizonit të Forcave te Armatosura.Në përfundim të procedurës AKU kreu zhbllokimin e aktivitetit të subjektit SORI-AL, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi”, vijon deklarata.
Deklarata e plotë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit datë 19 Maj:
Në vijim të njoftimeve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në lidhje me ndjekjen e rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, bëjnë me dije se, AKU kreu procedurën e marrjes së mostrave për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së Garnizonit, të Forcave te Armatosura.
Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV, informojmë që kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.
Referuar këtyre raport- provave është kryer procedura e inspektimit në adresat brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk, Tiranë dhe brenda ambienteve te Garnizonit, te Forcave te Armatosura, Tiranë.Në përfundim të procedurës AKU kreu zhbllokimin e aktivitetit të subjektit SORI-AL, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi.



