E ngarkuara me punë e SHBA paralajmëron prerë Ramën: Investitorët amerikanë duan fushë loje të barabartë,…

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dje një mesazh të fortë për klimën e investimeve në Shqipëri. Gjatë prezantimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë mbi Investimet e Huaja Direkte, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, nënvizoi se investitorët e huaj kanë nevojë për më shumë siguri, rregulla të qarta dhe konkurrencë të ndershme për të investuar në vend. Në fjalën e saj, VanHorn theksoi se Shqipëria duhet të garantojë jo vetëm hapjen ndaj investimeve, por edhe mbrojtjen e interesave kombëtare dhe standardeve ndërkombëtare.
“Kuadri i shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte të Shqipërisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik, është një deklaratë strategjike. Tregon se Shqipëria është e hapur për biznes, por në një mënyrë që mbron interesat kombëtare të Shqipërisë dhe plotëson standardet ndërkombëtare. Dhe investitorët po i kushtojnë vëmendje, përfshirë ata amerikanë. Kompanitë amerikane janë këtu, në energji, ndërtim dhe teknologji, dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë”, deklaroi ajo.Por diplomatja amerikane la të kuptohet se ardhja e investimeve të reja nuk është automatike. Sipas saj, bizneset kërkojnë garanci konkrete për mënyrën se si funksionon tregu dhe institucionet.
“Investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne. Kur Presidenti Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt. Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim”, u shpreh VanHorn.
Në një tjetër mesazh domethënës, përfaqësuesja e SHBA-së paralajmëroi se ligjet nuk mjaftojnë nëse ato nuk zbatohen në praktikë. “Natyrisht, miratimi i një ligji është fillimi, jo fundi. Zbatimi është vendi ku këto përpjekje kanë sukses ose dështojnë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ministritë dhe institucionet për ta sjellë këtë kuadër në jetë.
Mekanizmat e shqyrtimit janë krijuar për t’ju mbrojtur. Kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë”, deklaroi ajo. Pra edhe pse Rama mburret me thithjen e investimeve, në fakt për amerikanët ka ende shumë probleme. Më poshtë po pasqyrojmë fjalën e diplomates Nancy VanHorn.Fjala e plotë e të Ngarkuarës me Punë Nancy VanHorn në prezantimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë mbi Investimet e Huaja Direkte (IDH)
“Mirëmëngjes të gjithëve. Sapo i thashë Grant se mendoj se ky është një takim ku do të dëgjoni të njëjtat gjëra përsëri e përsëri. Ne të katërt, mendoj, po flasim me një zë të vetëm. Pra, një falënderim shumë i madh për Neritanin dhe Grant për mikpritjen e ngrohtë, për ministren që u bashkua me ne sot dhe mendoj se ajo në fakt e shtjelloi shumë mirë rëndësinë e këtij mekanizmi dhe procesi. Dhoma Amerikane ka një talent të vërtetë për të kthyer prioritetet e përbashkëta në veprime të përbashkëta – dhe ky i sotmi është një shembull i përsosur.
Ministre Ibrahimaj, është kënaqësi t’ju shoh këtu. Udhëheqja e ministrisë suaj mbi mekanizmin e shqyrtimit të investimeve ka qenë thelbësor dhe Shtetet e Bashkuara janë të krenarë të qëndrojnë krah jush. Pra, do të flas shkurt, sepse substanca e vërtetë ndodhet në prezantimet dhe diskutimet që do të pasojnë.
Por dua të them disa gjëra nga perspektiva e ambasadës. Kjo është shumë e rëndësishme. Kuadri i shqyrtimit të IHD-së (Investimeve të Huaja Direkte) të Shqipërisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik – është një deklaratë strategjike.
Tregon se Shqipëria është e hapur për biznes, por në një mënyrë që mbron interesat kombëtare të Shqipërisë dhe plotëson standardet ndërkombëtare. Dhe investitorët po i kushtojnë vëmendje përfshirë ata amerikanë. Kompanitë amerikane janë këtu ll në energji, ndërtim dhe teknologji dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë. Por investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne.
Kur Presidenti Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt. Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim.
Dhe kjo përputhje ka rëndësi. Natyrisht, miratimi i një ligji është fillimi, jo fundi. Zbatimi është vendi ku këto përpjekje kanë sukses ose dështojnë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Ministren Ibrahimaj dhe me ministri e institucione të tjera që do ta sjellin këtë kuadër në jetë.
Komunitetit të biznesit në këtë sallë: Mekanizmat e shqyrtimit janë krijuar për t’ju mbrojtur.
Kur rregullat janë të parashikueshme dhe zbatimi është i qëndrueshëm, të gjithë përfitojnë dhe ky është mjedisi që tërheq llojin e investimeve afatgjata dhe cilësore që Shqipëria meriton.
Ndaj sot bëhet fjalë për të sjellë të gjithë në të njëjtën tryezë për të kuptuar çfarë nënkupton ky kuadër, si funksionon dhe çfarë vjen më pas. Shqipëria ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara, dhe mirëpresim punën që na pret. Faleminderit!”, u shpreh dje ndër të tjera diplomatja Nancy VanHorn.