Edi Rama bën për “ujë të ftohtë” kryebashkiakët e juglindjes, Eduart Duro “shkrihet gazit”, kryeministri: Nuk e kam me Sotiraqin, shpresoj që mos kthehet në buzëqeshje të hidhur

Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar këtë të mërkurë me kryebashkiakët e vendit sa i prket infrastrukturës së bashkive, i bëri për “ujë të ftohtë” disa prej tyre, duke “u tërhequr veshin” për mungesën e shpeshtë në bashkitë që drejtojnë dhe praninë e tyre të vazhdueshme në Tiranë edhe gjatë ditëve të punës.
Pa përmendur emra konkretë, por duke lënë të kuptohet qartë se kujt i drejtohej, Rama kërkoi që kjo praktikë të marrë fund, duke theksuar se kryetarët e bashkive duhet të jenë pranë komuniteteve që i kanë zgjedhur, veçanërisht gjatë sezonit veror kur nevojat për shërbime shtohen ndjeshëm.
Sipas kryeministrit, shqetësimi i është përcjellë në mënyrë të përsëritur nga qytetarë të disa bashkive të juglindjes së vendit. Ai paralajmëroi se nëse situata vijon, herën tjetër do t’i bëjë publike edhe emrat e drejtuesve vendorë që neglizhojnë detyrën. Në momentin e kësaj vërejtjeje, kamerat fokusuan edhe kryebashkiakun e Devollit, Eduart Duro, i cili u pa duke buzëqeshur.
“Besoj që kam të gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë e më parë këtë shqetësim, i cili është një shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur nga disa prej komuniteteve tuaja, kryesisht në juglindje të vendit, në aksin Tiranë-Korçë.
Se nuk flas për ata të ish Partisë Demokratike, se ata mund të rrinë gjithë kohës në shtëpi, se si janë, si s’janë ata prapë janë. Flas për të zgjedhurit e Partisë Socialiste. Nuk e kam këtu për Sotiraqin, nuk e kam as për ministrin.
Për ta mbyllur me një buzëqeshje, dhe uroj që të jetë një buzëqeshje e ëmbël dhe mos kthehet në një buzëqeshje të hidhur”, tha Rama.Pjesë nga fjala e Ramës:
Riangazhim për të çuar në një nivel tjetër edhe ndërveprimin mes bashkive dhe qytetarëve. Duke shfrytëzuar platformën dixhitale të bashkëqeverisjes, por edhe të gjitha rrugët e tjera, pasi sidomos në këtë fazë të vitit, me rritje të ngarkesës së madhe për shkak të sezonit turistik, rritet edhe nevoja që lidhet jo vetëm me anën e bashkisë që duhet të kujdeset në mënyrë të posaçme aty ku ka rritje të ndjeshme të banorëve të territorit për të gjitha shërbimet, por edhe nga ana tjetër sjelljen dhe rritjen e nevojave nga ana e njerëzve.
Për të gjitha ato për të cilat njerëzit mund të kenë nevojën e shërbimit publik, mbështetjes së sektorit publik, që nga çështje të shëndetit, te çështje që lidhen me qetësinë, me sigurinë e fëmijëve dhe kështu me radhë.
Ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive. Nuk dua t’i përmend këtu me emra, që janë bërë pak problem, po e them në mënyrë kështu të butë për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje.
Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. Nuk janë të gjithë, janë disa, ndërkohë që shembulli i ministrit aktual të pushtetit vendor, që vjen nga një eksperiencë shërbimi jashtë Tiranës, edhe pse shtëpinë e kishte dhe e ka në Tiranë, është një shembull që duhet ta ketë parasysh disa kryetarë që sot nuk dua t’i përmend me emër, por herën tjetër do t’i përmend me emër dhe publikisht, që lënë komunitetin dhe detyrën përpara se sa në fakt të vijë ai që është momenti zyrtar i pushimit, që edhe aty ka diskutim kjo punë, dhe vijnë në Tiranë.
Kjo gjë nuk është e justifikueshme dhe nuk është e pranueshme.Besoj që kam të gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë e më parë këtë shqetësim, i cili është një shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur nga disa prej komuniteteve tuaja, kryesisht në juglindje të vendit, në aksin Tiranë-Korçë.
Se nuk flas për ata të ish Partisë Demokratike, se ata mund të rrinë gjithë kohës në shtëpi, se si janë, si s’janë ata prapë janë. Flas për të zgjedhurit e Partisë Socialiste. Nuk e kam këtu për Sotiraqin, nuk e kam as për ministrin.
Për ta mbyllur me një buzëqeshje, dhe uroj që të jetë një buzëqeshje e ëmbël dhe mos kthehet në një buzëqeshje të hidhur.