Protestë në Pogradec, banorët kundër projektit të bashkisë: S’duam rrugë të re, të ndërhyhet te lumi!

Bashkia e Pogradecit ka nisur ndërhyrjen në periferi të qytetit pas përmbytjeve.
Projekti kundërshtohet nga banorët e Vërdovës, pasi hapja e një rruge te re, 1.5 metra, prek avllitë dhe urat që përdorin për të hyrë në banesa.
Banorët kërkojnë që, në vend të ndërtimit të rrugës, ndërhyrja të përqendrohet në thellimin e shtratit të lumit dhe pastrimit të skarpateve.
“Tani e kundërshtojmë se duan të hyjnë 1.5 metra.”
“S’duam rrugë të re në anën tjetër se rruga në anën tjetër nuk bëhet tamam se ka shumë ndërtesa. Të pastrohet lumi se është lumë i gjerë, por këta s’e kanë sistemuar.”
“Urat i kemi prapë kështu siç janë. Si do të kaloj unë me 1.5 metra me të sëmurë e të paralizuar? Ku do të futem? Të sistemohet lumi”, shprehen disa prej banorëve.
Përfaqësuesi i bashkisë, Fatmir Hamolli, tha se këtu janë problem ndërtimet pa leje. Sipas tij, rruga do të bëhet vetëm 1.5 metra e gjerë për të shmangur shembjet, sepse të gjithë banorët janë ne proces legalizimi.
“Do të ruhet 1.5 metra ana e lumit. Bashkia do ta azhornojë në hipotekë dhe të gjithë do të merrni certifikatën përfundimtare për shtëpitë tuaja”, tha Hamolli.
Si pasoje e reshjeve të dimrit, lumi i Vërdovës doli nga shtrati duke dëmtuar rrugen kryesore, që shërben dhe si unazë për qytetin e Pogradecit.
