Shkëndijë elektrike në zonën në pazarit në Gjirokastër, ndërpritet energjia elektrike në gjithë qytetin

Një shkëndijë elektrike e shoqëruar me flakë është regjistruar këtë të martë pranë godinës së Postës, në zonën e Qafës së Pazarit në Gjirokastër.
Sipas informacioneve paraprake, shkëndija ka rënë në një tabelë reklamuese, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat e shërbimit zjarrfikës për të vënë situatën nën kontroll.
Për arsye sigurie, është stakuar energjia elektrike në të gjithë qytetin deri në stabilizimin e situatës dhe eliminimin e rrezikut.
Aktualisht po punohet për shuarjen e plotë të flakëve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Në njoftim thuhet “Në orën 09:45, nga Salla Operative e Policisë së Shtetit se në Pazarin e Gjirokastrës, pranë Postës Shqiptare, te tabelat e reklamave, kishte rënë zjarr në fasadën e godinës së postës.
Si pasojë e zjarrit, rrezikoheshin godina e Postës Shqiptare dhe banesat që ndodhen në të njëjtin objekt.
Menjëherë u nis grupi i shërbimit drejt vendngjarjes, ku ndërhyri në kohë, duke izoluar dhe shuar plotësisht flakët.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, zjarri u vu nën kontroll dhe u eliminua pa shkaktuar dëme të tjera materiale apo pasoja“.




