
Rigels Seliman
Procesi ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) vijon mes përplasjeve të forta për akuzat që rëndojnë ndaj tij, ndërsa ish-presidenti ka ngritur pretendime për mënyrën si është ndërtuar dosja nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Z. Meta ka kundërshtuar akuzat për lobimin në SHBA, letërporosinë dhe sekuestrimin e telefonit të Monika Kryemadhit, duke pretenduar se çështja ndaj tij është ndikuar nga faktorë të tjerë. Në përgjigje të këtyre deklaratave, juristi Romeo Kara ka kundërshtuar versionin e ish-presidentit, duke iu referuar datës së kallëzimit penal, pretendimeve për lobimin dhe akuzave të Metës për një komplot. Në fokus të reagimit të tij për gazetën “SOT” është edhe përmendja e Durim Bamit nga Meta, për të cilën Kara shprehet se nëse ai do të flasë, Meta nuk e sheh dot më lirinë.
Romeo Kara i përgjigjet Metës
“Po t’i referohemi deklarimeve publike të Ilir Metës gjatë seancës së datës 29 korrik, ai pretendon se SPAK‑u “po mashtron” gjykatën për disa arsye kryesore. Këto janë pretendime të mbrojtjes së tij, por absolutisht jo fakte të provuara nga gjykata. Së pari, kemi thjesht një mbrojtje politike karshi akuzave të mbështetura nga një investigim mjaft i gjatë në kohë i SPAK-ut. Me sa duket, Meta ka zgjedhur ta vetëservirë veten si viktimë e një “komploti” të politikës ndërkombëtare, pa ofruar fakte e prova për këto pretendime të tij, të cilat kanë ndryshuar jo pak herë me kalimin e kohës. Së dyti, edhe pse akuzon politikën për komplot dhe SPAK-un për mashtrim, ai nuk ka depozituar asnjë kallëzim penal as ndaj SPAK-ut për mashtrim dhe as ndaj politikës që, sipas tij, ka “komplotuar” kundër tij. Pikërisht kjo qasje e tij në proces i bën të pabesueshme akuzat e tij. Ilir Meta pretendon se SPAK‑u ka paraqitur në mënyrë të pasaktë çështjen e lobimit në SHBA.
Sipas tij, prokuroria “në mënyrë recidiviste mashtron” lidhur me provat dhe mënyrën se si është ndërtuar akuza për kontratën e lobimit, si dhe se arrestimi i tij u mbështet mbi një letërporosi të falsifikuar. Në të vërtetë, përgjatë fundit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2024 kemi parë një qëndrim agresiv, fyes dhe denigrues ndaj disa prej figurave kryesore të LSI-së (sot PL), duke aluduar se ata ishin tradhtarë, të shitur apo spiunë të SPAK-ut, pikërisht në lidhje me atë lobim në SHBA. Tani ajo narrativë është harruar dhe po i ngarkohet SPAK-ut një mashtrim, të cilin GJKKO-ja deri më tani nuk e ka konstatuar as në fazën paraprake të procesit dhe as gjatë shqyrtimit në themel të çështjes. Ndërro avokat, ndërro qëndrim ndaj ish-bashkëpunëtorëve, ndërro narrativë e qasje herë pas here, dhe ja ku kemi një Metë që nuk di as vetë se çfarë thotë dhe çfarë kërkon.
Ilir Meta tha se është arrestuar më 21 tetor 2024 mbi bazën e një letërporosie që ai e konsideron të falsifikuar. As ky pretendim nuk është konstatuar nga gjykata. Me qëllimin për të goditur integritetin e procesit dhe për ta servirur atë si të padrejtë, Meta pretendon gjithashtu se SPAK‑u i ka mohuar të drejtën për një mbrojtje efektive. Ndërkohë, ai nuk referon se cilat parashikime të Kodit të Procedurës Penale janë shkelur nga SPAK‑u. Ai pretendon gjithashtu se ka pasur manipulime lidhur me sekuestrimin e telefonit të Monika Kryemadhit. Në seancë ai deklaroi se telefoni i sekuestruar nuk ishte ai i nënës së saj, por telefoni personal i Kryemadhit dhe se kjo, sipas tij, është paraqitur gabimisht nga organi i akuzës. Meta refuzon të komentojë se çfarë u gjet në atë telefon dhe çfarë u provua si e vërtetë nga hetimi. Telefoni nuk u sekuestrua në shtëpinë e Monikës dhe kjo gjë e bën më se të ligjshëm sekuestrimin. Ai pretendon se procesi është i motivuar politikisht, duke përsëritur se hetimi ndaj tij është ndikuar nga interesa politike, dhe ka kërkuar thirrjen si dëshmitar të Kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se kjo është e nevojshme për zbardhjen e çështjes.
Ndërkohë, nuk kemi asnjë akuzë ndaj Ramës prej tij lidhur me sa më sipër. Meta deklaroi se çështja ndaj tij u ngrit që në vitin 2018 nga revista Mother Jones, pas zgjedhjeve në SHBA, më 4 nëntor, kur iku regjimi i Charles McGonigal, pasi ky i fundit është i përfshirë në hetimet e mia dhe kjo është e konfirmuar nga gjykatat amerikane. “Gjatë rrugës nga Shqipëria në Kosovë, McGonigal merrte edhe dekorata nga bashkia. Para se ky njeri të vinte në Shqipëri, McGonigal ka qenë në Vjenë dhe aty ka informacione se ka qenë me Tom Doshin. Në atë takim thuhet se ka qenë edhe shtetasi Durim Bami”, deklaroi Meta. Sipas ish-presidentit, pas këtij takimi në skenë doli Romeo Kara, i cili bëri edhe kallëzimin penal ndaj tij.
Mjafton vetëm një fakt për ta hedhur poshtë të gjithë malinjitetin justifikues të tij: unë kallëzimin e kam bërë më 18 tetor 2017, pra jo në vitin 2018 dhe as i ndikuar nga ndonjë lloj McGonigali, siç ëndërron ai. Të mos harrojmë se në vitin 2024 Meta servirte variantin se kallëzimi im ishte bërë në vitin 2019, i nxitur jo vetëm nga McGonigali, por edhe si kundërvënie ndaj tij për arsyen se Meta po denonconte aferën e inceneratorëve. Meqë ra fjala, kur ai dhe ish-gruaja e tij denonconin atë aferë, të gatuar edhe nga ish-ministri dhe ish-këshilltari i tij, SPAK‑u ishte i besueshëm, ndërsa GJKKO-ja, që i dënoi, po ashtu.
Kur i erdhi dita atij, SPAK‑u u bë “tallava”, mashtrues dhe i pabesueshëm. Është e çuditshme që një “tallava”, sipas tij, të jetë aq mashtrues sa të burgosë një ish-president dhe ish-burrin e Monikës. Fantazia metajane tani së fundmi e paska kaluar edhe ylberin, pasi vendos bashkë McGonigalin me Tom Doshin dhe Durim Bamin. Me sa duket, do të kemi të reja nga fronti Bami kundër tij. Kjo çoroditje e fantazisë së Metës e ka një shkak. Ai dhe ne e dimë mjaft mirë se, po foli Durim Bami, Meta ta harrojë se një ditë do ta shijojë përsëri lirinë. Madje, nuk duhet të çuditemi nëse Bami tashmë edhe mund të ketë folur”, deklaroi juristi i njohur, Romoe Kara gjatë një reagimi për gazetën “SOT”.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.