Neymar përfshihet në debat të ashpër me gjyqtarin pas zëvendësimit të gabuar në ndeshjen e Santos

Ylli brazilian Neymar u përfshi në një debat të ashpër me arbitrin gjatë ndeshjes së Santos ndaj Coritiba, pas një zëvendësimi të gabuar që shkaktoi konfuzion në fushë.
Ngjarja ndodhi në pjesën e dytë të takimit, kur Neymar ra në fushë duke kërkuar trajtim mjekësor për një dëmtim në pulpë. Në të njëjtën kohë, tabela e zëvendësimeve u ngrit dhe u shfaq numri i tij, ndërsa në lojë u fut Robinho Jr.
Megjithatë, Neymar nuk e kishte kuptuar se ishte zëvendësuar dhe u rikthye në fushë pas trajtimit. Vetëm më pas ai u bë i vetëdijshëm për situatën dhe iu drejtua arbitrit Paulo Cesar Zanovelli, duke sqaruar se lojtari që duhej të largohej ishte mbrojtësi i majtë Escobar (numri 31), jo ai vetë.
Pavarësisht protestave të tij, loja vazhdoi dhe vendimi nuk u ndryshua. Neymar më pas iu drejtua stafit teknik të Santos, duke kërkuar fletën zyrtare të zëvendësimeve, të cilën e tregoi edhe për kamerat, ku shihej qartë se ishte pikërisht numri 31 që duhej të dilte nga fusha.
Ai shprehu pakënaqësi të fortë edhe ndaj gjyqtarit të katërt, duke treguar me gisht për përgjegjësinë e gabimit, por zëvendësimi mbeti në fuqi.
Në atë moment, Santos po humbiste 3–0 dhe më vonë e mbylli ndeshjen në një pozicion të vështirë në tabelën e klasifikimit, duke rënë në vendin e 16-të.











