Erion Veliaj ballë për ballë me socialistët dhe demokratët, kryebashkiaku i Tiranës thirret për t’u pyetur

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pritet të paraqitet në Kuvend në datën 30 qershor, nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të pranojë kërkesën e Komisionit të Reformës Territoriale.
Ky i fundit ka vendosur zyrtarisht që të dëgjojë kryebashkiakun e Tiranës lidhur me propozimet që mund të ketë sa i takon reformës territoriale.
Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i Komisionit, tha se pasi dërgohet ftesa zyrtare, masat duhet t’i marrë bashkia për të siguruar praninë e kryetarit. Nga praktikat e deritanishme, Komisioni i Reformës Territoriale ka vendosur që në seancat dëgjimore të paraqiten vetëm kryetarët e Bashkive.
Kjo do të thotë se Komisioni nuk pranon persona të deleguar nga Kryebashkiaku, apo zv/kryetarë të emëruar, çka do të thotë se në rastin e Bashkisë së Tiranës, nuk do të pranohet njëri nga zv/kryetarët. “Ne kemi caktuar një standard.
Nuk kemi dëgjuar nënkryetarët, edhe kur kanë qenë të deleguar me porosi. Ftesën ia çojmë institucionit dhe institucioni duhet të marrë masat përkatëse që të përfaqësohet nga personi që ka tagrin për të qenë kryetar i zgjedhur i bashkisë. Kemi çuar kërkesën në mënyrë specifike.
Dëgjesa e qarkut Tiranë do të bëhet më datë 30. Jemi duke diskutuar akoma bashkë me bashkëkryetarin për vendin dhe orën, por ora do të jetë besoj tipike, 5 ose 6. Po diskutojmë për një vend të përshtatshëm që të jetë mjaftueshëm i madh për një dëgjesë të këtij niveli dhe i përshtatshëm për të gjithë palët”, tha Mazniku.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, prej shkurtit 2025, ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa SPAK ka ngritur 13 akuza për korrupsion dhe fshehje pasurie.
Vendimin për të lejuar Veliajn për të marrë pjesë ose jo në seancën dëgjimore të Komisionit, do e marrë SPAK. Nëse Kryebashkiaku i Tiranës lejohet të paraqitet, ai pritet të shoqërohet nga forcat policore, situatë e ngjashme, me paraqitjet e tij në Gjykatën Kushtetuese, apo në Administrative, ku zhvillon një gjyq me prokurorin Old Dado.
