KAS e detyroi të vendosë, KQZ lë në detyrë Kreshnik Hajdari: S’është në kushtet e ndalimit për ushtrimin e detyrës

KQZ e ka lënë në detyrë kryebashkiakun e Kuçovës Kreshnik Hajdari. Hajdari u dënua përfundimisht me vendim të formës së prerë në korrik të 2024 me 6 muaj burgim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, i konvertuar në shërbim prove.
Sipas Celibashit, Hajdari nuk është në kushtet e ndalimit për ushtrimin e detyrës, pasi dënimin e shleu me punë në komunitet.
“KQZ i përmbushi detyrimet që rridhnin për rishqyrtimin e kësaj çështjeje, duke kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dokumentacionin që urdhëronte KAS. Është e qartë se ai dokumentacion njihet nga të gjithë dhe nuk ka dokumentacion shtesë.
Kemi marrë të gjitha vendimet e çdo institucioni mbi këtë çështje: të KQZ-së, KAS-it, Kolegjit Zgjedhor, gjykatës dhe Gjykatës së Posaçme. Cili është vlerësimi im?
Jemi përpara faktit që ai ka paraqitur formularin e dekriminalizimit. Me nxitje nga PD ka pasur një proces shqyrtimi penal. Ka një vendim penal për këtë çështje, i cili e ka sanksionuar me atë masë dënimi dhe, në fund, ka urdhëruar që ajo masë dënimi të shlyhet me orë pune në komunitet.
Aplikimi i nenit 63, a e vendos në kushtet e ndalimit apo jo? Ne kemi pasur një qëndrim për një rast të ngjashëm, por në gjykimin tim, sipas interpretimit që kam për ligjin, mendoj se nuk jemi në kushtet e ndalimit për këtë subjekt.
Ky është një qëndrim që e kam mbajtur edhe më parë dhe jam i bindur në këtë interpretim.
Nëse ndaj dikujt aplikohet neni 63, dënimi është i paqenë. Një gjë e paqenë është zero, është bashkësi boshe.
Përtej diskutimit që mund të bëhet për moralin, fakti ligjor mbetet ky që thashë: ky subjekt nuk është në kushtet e ndalimit. Këtë qëndrim e kanë konfirmuar më herët edhe KAS‑i dhe Kolegji Zgjedhor për rastin e Mallakastrës. Për arsyet që i rendita, kryetari i Bashkisë Kuçovë nuk është në kushtet e ndalimit”, tha Celibashi.
