
Adriatik BALLA
Kristiano Ronaldo mungon në listën e lojtarëve me vlerën më të madhe ndonjëherë në treg, edhe pse është një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e futbollit.
Kjo pasi vlerat e tregut gjatë viteve të fundit kanë favorizuar elementët e rinj, përfshi Nejmar, Mbape dhe Jamal, që kapërcejnë 200 mln eurot si vlerë kartoni në treg. Kjo dëshmon se tregtia e lojtarëve është të kapësh momentin e kulminacionit të futbollistit. Mesi, psh., e ka pasur këtë mundësi një dekadë më parë. Kështu, portali spanjoll “AS” ka publikuar renditjen historike të futbollistëve me vlerën më të lartë të tregut, bazuar në kulmin e vlerësimit të tyre gjatë karrierës.
Në krye të listës ndodhen Lamine Jamal dhe Erling Haland, të dy me një vlerë rekord prej 220 milionë eurosh, ndërsa pas tyre renditen emra si Vinicius Jr., Kilian Mbape, Lionel Mesi dhe Nejmar. Ja renditja e 10 futbollistëve më të vlefshëm në histori: Vetëm 19 vjeç, Lamine Jamal ka vendosur rekordin historik falë rolit të tij si lider te Barcelona dhe kontributit në sukseset me kombëtaren e Spanjës, duke u bërë futbollisti më i vlefshëm që ka njohur ndonjëherë tregu.
Në të njëjtin nivel me spanjollin renditet Erling Haland, i cili arriti vlerën rekord pas sezoneve të jashtëzakonshme me Mançester Sitin, ku vazhdoi të thyejë rekorde golash në Premier League dhe Champions League.
Në podiumin historik ndodhet edhe Vinicius Jr., që në vitin 2024 preku shifrën e 200 milionë eurove pas paraqitjeve vendimtare me Real Madridin, ndërsa Kilian Mbape ishte lojtari i parë në histori që kaloi kufirin e 200 milionë eurove, menjëherë pas triumfit me Francën në Kupën e Botës 2018.
Në listë nuk mungojnë as emra legjendarë si Lionel Mesi dhe Nejmar, të cilët në kulmin e karrierës së tyre u vlerësuan me 180 milionë euro, ndërsa vend në “Top 10” kanë edhe Jude Belingham, Mikael Olise, Rahim Sterling dhe Pedri.
1.Lamine Jamal – 220 milionë euro (2026)
2.Erling Haland – 220 milionë euro (2026)
3.Vinicius Jr. – 200 milionë euro (2024)
4.Kilian Mbape – 200 milionë euro (2018)
5.Jude Bellingham – 180 milionë euro (2023)
6.Nejmar Jr. – 180 milionë euro (2018)
7.Lionel Mesi – 180 milionë euro (2017)
8.Mikael Olise – 170 milionë euro (2026)
9.Rahim Sterling – 160 milionë euro (2019)
10.Pedri – 150 milionë euro (2026)