“Policia merr urdhra politikë”/ Avokati-Ramës: Liro menjëherë protestuesit, ose do të shkaktosh revoltë!

Avokati Alban Duraj në një deklaratë për mediat nga Komisariati 4 tha se janë shkelur kriteret ligjore për masën e arrestit në flagrancë ndaj disa personave të shoqëruar nga policia gjatë protestave.
Duraj u shpreh se arrestimi në flagrancë duhet të zbatohet vetëm kur vepra penale parashikon një dënim minimal prej 5 vitesh burgim, duke theksuar se në këtë rast kjo nuk është respektuar.
Avokati tha se nuk ka ende njoftime zyrtare për tre të shoqëruarit, ndërsa ai pretendon se procedurat po ndjekin “urdhra politikë”. Ai shtoi se nuk duhet të kishte pasur arrestim në flagrancë dhe se hetimet duhet të zhvillohen në gjendje të lirë.
Avokati deklaroi gjithashtu se protestuesit janë kundërpërgjigjur pasi janë përballur me dhunë të pajustifikuar dhe disproporcionale, duke pretenduar përdorim të shkopinjve të gomës dhe prani të madhe forcash policore.
Ai i bëri thirrje prokurorit dhe autoriteteve, përfshirë drejtorin e Policisë Skënder Hitaj, që të urdhërojnë lirimin e menjëhershëm të të shoqëruarve dhe të mos ketë procedime penale ndaj tyre.
Duraj gjithashtu i kërkoi edhe Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit Edi Rama që të reagojnë menjëherë, duke paralajmëruar se situata mund të çojë në “revoltë të ligjshme” nëse nuk merren masa.
Ai njoftoi se protesta e paralajmëruar për datën 4 pritet të jetë ndër më të mëdhatë, ndërsa theksoi se policia, sipas tij, ka pasur tashmë një plan veprimi të përgatitur.
“Janë shkelur kriteret për masën e arrestit, kur dikush arrestohet në flagrancë duhet të ketë kryer nëj krim që dënohet minimumi 5 vite.
Ata policë që kanë zbatuar urdhra të palgjshëm, do të mbajnë përgjegjësi, u bëjmë thirrje policëve të mos bëjnë veprime të paligjshme, gjithçka është e filmuar.E kemi parë se me çfarë janë përballur punonjësit e administratës që zbatonin dëshirat eprorëve.
Nuk kemi asnjë njoftim për tre të shoqëruarit, ata presin urdhrat dhe urdhrat janë politikë. S’duhet të kishim arrestim në flagrancë. Protestuesit janë kundërpërgjigjur sepse janë dhunuar, dhuna ka qenë disproporcionale sepse kanë përdorur shkopinj gome dhe kanë qenë të shumtë në numër.
Ajo që kërkojmë nga Hitaj dhe prokurori të urdhërojnë menjëherë lirimin dhe hetimi të bëhet në gjendje të lirë, mos ketë procedime.
Ministri i Brendshëm dhe Rama të regojnë menjëherë. I drejtojmë kërkesë Ramës që protestuesit të shkojnë në familjet e tyre, në të kundërt do të shkaktojë revoltë, që është e ligjshme.
Kemi dhe protestën e datës 4 që do të jetë një nga më të mëdhatë dhe policia ka pasur një plan.
Uroj që Rama dhe prokurori të vendosin lirimin e menjëhershëm”,tha avokati.